Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përshëndetur sot me një mesazh Ditën Ndërkombëtare të Paqes.

Mes të tjerash, Nikolla thekson se sot Shqipëria është bërë një kontribuese e spikatur e paqes dhe vazhdon të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit, sigurisë, tolerancës e mirëkuptimit në rajon e më gjerë.

Mesazhi i kryeparlamentares Nikolla:

Më 1981 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi që 21 shtatori të kremtohet si Dita Ndërkombëtare e Paqes.

Sot, dyzetë vjet më pas, Shqipëria është bërë një kontribuese e spikatur e paqes dhe vazhdon të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit, sigurisë, tolerancës e mirëkuptimit në rajon e më gjerë.

Si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dërguar djemtë dhe vajzat e saj në misione paqeruajtëse në mjaft vatra të nxehta luftrash e konfliktesh anembanë globit.
Vendi ynë përmbushi me mjaft sukses mandatin e Presidencës së OSBE-së gjatë vitit të vështirë 2020, kur tensioneve e problemeve të krijuara nga luftrat e konfliktet, iu shtua edhe pandemia e Covid -19.

Gjatë dy viteve të ardhshme, 2022-2023, Shqipëria do të kontriboujë për paqen e sigurinë në botë, jo vetëm nëpërmjet shembullit, por edhe me vendim-marrjet e saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Paqja në botë nis nga paqja në çdo vend. Ajo arrihet më lehtë, kur të gjithë kombet përparojnë e zhvillohen, rrisin mirëqënien dhe ofrojnë mundësi e të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë etnike e fetare, moshës, gjinisë, origjinës apo gjendjes ekonomike.

Shqipëria është një vend i vogël, por partneriteti strategjik me aleatët tanë të mëdhenj, ShBA dhe BE, si edhe kontributi për sigurinë e paqen, për buzëqeshjen e lumturinë e fëmijëve e qytetarëve të të gjithë botës, na bëjnë një vend të madh.

(BAlkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb