Kryeministri Edi Rama ka folur për tre projektet e tre aeroporteve që qeveria premton se do i ndërtojë në Kukës, Vlorë e Sarandë.

Rama thotë se po punon intensivisht për të çarë shtegun e pandemisë për aeroportin e Vlorës duke zbuluar se dita e tij nis dhe mbaron me telefonatën e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ai shton se në Kukës në kantierin e aeroportit po bëhet një punë e shkëlqyer, por faza përmbyllëse do dhe disa muaj.

Me të përfunduar procesin në Vlorë, Rama thotë se qeveria është gati të hapë garën për aeroportin e Sarandës që do ketë impakt turistik.

”Dua të nënvizoj se krahas kantiereve të infrastrukturës rrugore, për të cilat do të nisen disa kantiere të mëdha të infrastrukturës aktuale dhe aeroportuale. S’më ka rënë në sy, mbase e kemi bërë po, askush s’ka shkuar të shohë kantierin e Kukësit, ku po bëhet një punë e jashtëzakonshme. Gjithë aeroporti i ri po merr formë, edhe pse faza përmbyllëse e punimeve do të kërkojë edhe disa muaj. Jemi duke punuar për hir të së vërtetës, pasi dita ime nis me telefonatën me ministren, dhe mbyllet po me ministren për të çarë shtegun nga pandemia për aeroportin e Vlorës. Ditët në vijim do kemi një qartësi për këtë proces, pasi gara është ndërprerë prej pranverës. Do rihapet aty ku është ndërprerë, me një periudhë të shkurtër kohe të mbetur, dhe do ketë prezencë të kompanive të interesuara, që në panoramën globale të krizës janë pjesa më e goditur.

Me të mbyllur Vlorën, sapo gara të mbyllet ne jemi të lançojmë procesin për Sarandën që është bërë gjithë strategjia. Duhet bërë hap pas hapi, jo bashkë menjëherë. Saranda do ketë aeroport më të vogël, me impakt strategjik për turizmin. Kemi shumë besim se nëse Vlora do jetë sukses, në aspektin e pjesëmarrjes dhe përfshirjen e një entiteti prestigjioz, padyshim që edhe Saranda s’ka arsye pse mos jetë. Por Vlora është strategjike.”- tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb