Krerët e komuniteteve të fesë myslimane e bektashiane shqiptare kanë pritur sot urime nga personalitete të politikës, medias e biznesit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga ku uroi të gjithë besimtarët myslimanë festën e shenjtë të Kurban Bajramit.

“Kurban Bajrami është dita e sprovës dhe sot duhet të reflektojmë për kohën ku jetojmë. Secili prej nesh duhet të sakrifikojë egot, inatet, mëritë sepse një qytet bëhet më i mirë kur sakrifikojmë gjëra si këto, që nuk janë të dobishme. Ne mund të jetojmë edhe pa inate, edhe pa smirë, edhe pa xhelozi, edhe pa stërkëmbësha”, tha Veliaj.

Edhe kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla pas vizitës në Komunitetin Mysliman tha se kjo duhet të jetë një ditë solidariteti për të gjithë.

“Uroj besimtarët myslimanë në ditën e Kurban Bajramit në këtë ditë sakrifice dite relfeksioni për solidaritet dhe humanizëm”.

Edhe Kryegjyshata Botërore e bektashinjve, priti vizitorë në këtë Kurban Bajram. Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, presidenti i “Hysenbelliu Group” z. Irfan Hysenbelliu, kreu i Kishës Ortodokse shqiptare kryepeshkopi Anastas etj, uruan për festën kryegjyshin Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj dhe besimtarët bektashinj të Shqipërisë.

Një pjesë e politikanëve zgjodhi ta urojë festën e kurban bajramit nëpërmjet Facebook. Kryeministri Edi Rama, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta si dhe ish kryeministri Sali Berisha nëpërmjet postimeve në Facebook uruan shqiptarët për këtë ditë të shënuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: