“I domosdoshëm për momentin është një mesfushor i krahut të djathtë”. Kjo është kërkesa e Ernest Gjokës për merkaton e Kukësit. “Do të bëjmë tri afrime shumë cilësore, që t’i kemi për gjithë sezonin. I domosdoshëm është një mesfushor i djathtë, jemi në pritje të një izraeliti, që është lojtar me shumë cilësi. Këtu po këmbëngulim shumë dhe klubi po mundohet të bindë menaxherin e tij”, ka thënë dje trajneri i Kukësit. Sa i përket izraelitit, bëhet fjalë për 26-vjeçarin Siraj Naser, i cili ka mbyllur sezonin te Bnei Sakhnin. Mesfushori ka luajtur edhe në skuadra si Hapoel Ber Sheva dhe Hapoel Tel Aviv. Burime të gazetës konfirmojnë se sot pritet të mbyllet gjithçka dhe Naser të firmosë zyrtarisht për kampionët e Shqipërisë.

SERRAN DHE HOXHA
Mbrojtësi spanjoll Albert Serran ka mbërritur dje në Shqipëri. Drejtuesit e Kukësit kanë arritur marrëveshjen në parim me 32-vjeçarin dhe sot është lënë për të zyrtarizuar kontratën. Akordi financiar është arritur prej ditësh, por kanë mbetur detaje të vogla, që duhen sqaruar pas takimit kokë më kokë sot mes palëve. Nuk parashikohet ndonjë surprizë, pasi spanjolli ka qenë dakord me shumën e ofruar nga Kukësi. Serran ka luajtur me Espanjolin në Premiera Divizion dhe gjithashtu Sunonsi Sitin në Championshipin anglez. Ndërkohë, dje në mbrëmje, pas shumë negociatash ka firmosur për Kukësin edhe qendërmbrojtësi Rustem Hoxha. Mësohet se ish-kapiteni i Teutës ka arritur marrëveshjen për 2.5 milionë lekë të vjetra në muaj.

Hair Zeqiri shtyn për sot firmën
Pas disa orësh negociatash, mesfushori vlonjat Hair Zeqiri ka shtyrë firmën në kontratë për ditën e sotme. Burime të sigurta të “Panorama Sport” kanë konfirmuar dje se lojtari bashkë me menaxherin e tij, Elton Marini, pasi ka parë me shumë vëmendje të gjitha pikat e kontratës, i ka kërkuar klubit të bëjë disa ndryshime. Zeqiri ka qenë pjesë e Kukësit edhe dy sezone më parë dhe natyrisht si një futbollist profesionist kërkon garanci për marrëveshjen, që më pas të hedhë zyrtarisht firmën. Mesfushori e mbylli sezonin e fundit që në muajin shkurt pas përplasjeve me presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Braziliani
Te Kukësi dje ka dalë në skenë një lojtar brazilian. Bëhet fjalë për mesfushorin e krahut, Markos do Sul Bezerra (Markinjo). 23-vjeçari, i lindur në Rio De Zhaniero, ka luajtur për Vasko De Gamën dhe së fundmi me Baianon. Klubi është në bisedime, por akordi nuk është arritur.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: