Janë ditë të mira për futbollin kuqezi. Pavarësisht se fokusi mbetet te Kombëtarja e madhe, Shpresa dhe të rinjtë 19-vjeçarë kanë bërë mirë në 4 ditët e fundit, duke fituar nga dy sfida. Presidenti i FSHF, Armand Duka, ka falenderuar djemtë dhe drejtuesit e këtyre skuadrave…

“Të dashur miq, sot shijuam një tjetër ditë e shkëlqyer për futbollin shqiptar. Ekipi U-21 arriti një fitore të rëndësishme ndaj Sllovenisë, me një paraqitje bindëse, duke konfirmuar cilësitë dhe vlerat që ka në përbërje.

Brenda 3 ditësh na dhuruan dy fitore me 4 gola të shënuar dhe zero të pësuar. Kjo është ajo që ne kërkojmë nga kjo skuadër dhe kjo është rruga që duhet të ecin. Asgjë nuk është e pamundur.

Ekipi U-19 përsëriti sot pasdite veten ndaj Malit të Zi, ku në 2 ndeshje të luajtura në Ulqin brenda pak ditësh na dhuroi dy fitore me lojë bindëse. Përgëzime për djemtë e rinj kuqezinj që së shpejti fillojnë rrugëtimin kualifikues ku duhet të na dhurojnë lojra të bukura dhe rezultate pozitive.

Sot Shqipëria e futbollit është një realitet në rritje të vazhdueshme në çdo drejtim, duke konfirmuar punën e mirë që Federata Shqiptare e Futbollit bën. Ne besojmë se me punë mund të shkojmë larg, dhe rezultatet e fundit të skuadrave tona e tregojnë më së miri këtë.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb