TIRANE

“Katër veta nga familja ishim me dosje në Sigurim. Na quanin objekte, dhe objektet janë gjëra pa shpirt, kjo ishim ne për regjimin”, thotë Nestor Topençarov, një nga të mbijetuarit e diktaturës. Portreti i tij qëndron i paqtë në muret e ftohta, ndërsa historia e printuar në një letër, luhatet, pothuaj si fati i tij.

41 portrete të 41 ish të dënuarve e persekutuarve politikë në Shqipëri, gjatë diktaturës, janë ekspozuar pranë piramidës, godinës që u ndërtua dikur si mauzoleum për diktatorin Enver Hoxha. Bartëse të historive të represionit komunist, fotografitë tronditëse të forotografit koreano-gjerman Dong-Ha Choe, u bënë pjesë e ekspozitës “Udhëtime të papritura jete”, dhe ngritën siparin e edicionit të 10-të të “Ditëve të Kujtesës” organizuar nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë.

“Këto foto janë menduar të mbeten si kujtesë vizuale i fateve njerëzore, edhe 50 vite nga sot. Nuk doja kënde dramatike fotografimi, as sfonde që tërheqin vëmendje, as ndriçim të fortë, për mua ishte e rëndësishme të fiksoja një moment të qetë dhe të denjë, në shprehje dhe në atmosferë”.- tha fotografi Dong-Ha Choe.

Ekspozita e kuruar nga Jonila Godole, shënon 10-vjetorin e një nisme, duke ngritur zërin për mungesat e dukshme në një qytet që ende s’ka gjetur vend për nëj memorial për të dënuarit.

“I nisëm ‘Ditët e Kujtesës’, duke dashur një ditë për viktimat dhe qëndresën ndaj regjimit komunist, për fat të keq, pas 10 vitesh, ende nuk e kemi atë ditë kujtese as një memorial. Këto vite kemi mundur të dokumentojmë atë që ka ndodhur, tani fillon një fazë tjetër që është sfidë, pse ka ndodhur? Cilët ishin mekanimzat që e mabjtën shoqërinë për 45 vite?”, tha Godole.

Klaudia Zerva, nga Fondacioni “Konrad Adenauer”, bashkorganizator i “Ditëve të Kujtesës”, parashtroi kontekstin mbi të cilin nisi puna për përballjen me të shkuarën. “Fondacioni ‘Konrad Adenaruer’ para 15 vitesh kishte përparësi trajtimin e së shkuarës. Asokohe, ballafaqimi me të shkuarën linte për të dëshiruar, shoqëria, media e elitat ishin apatike për dekomunistizimin dhe po ashtu të zhveshura nga të vërtetat. Sigurisht, ne nuk mund të zhbënim atë që ishte bërë, as jetët e humbura, por mundeshim të merreshim me kthimin në të shkuarën, zhvarrosjen e saj, analizën, ekspertizën dhe kjo ishte nismë minimale por e domosdoshme për të reflektuar për të shkuarën”, theksoi Zerva. 15 vite më pas, përfaqësuesja e “Konrad Adenauer” vërejti se ka qenë një rrugëtim e reflektim i thellë, sepse “mundëm të ofrojmë një platformë dialogu kur kishte vetëm heshtje e harresë”.

Premtimet megjithatë, nuk mungojnë.

“Një dëshmi që duhet ta vazhdojmë këtë punë e të bëjmë shumë më tepër, dhe shteti dhe minsitritë, institcionet qëe bëjnë punë shumë t ëmira, siç është rasti i kampit të Tepelenës dhe Spaçit për të cilin kemi miratuar planin e mnaxhimit dhe kemi mbajtur sisa dëgjesa”, tha zëvendësministrja e Kultures, Lira Pipa.
Instituti për Demokraci, Media e Kulturë e ka nisur punën e tij me të shkuarën, me ndihmë gjermane dhe shembull gjerman. Një dekadë me pas, ambasadori thotë se përballja është civilizim.

“Përballja me të shkuarën është diçka që ndodh ne kombet e qytetëruara. Mendoj se kjo kujtesë ka nevojë për hapësira dhe vendndodhje ku njerëzit mund të shkojnë, si në Spaç. Kjo është e rëndësishme për ata që ishin viktima të komuniszmit, por edhe për shoqërinë, hapësira që të rinjtë mund të mësojnë për të shkuarën”- tha ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner.

Ekspozita me portrete e të dënuarve do të qëndrojë e hapur brenda piramidës, deri të dielën, ndërsa “Ditët e Kujtesës”, shfaqin filma dhe mbajnë konferenca shkencore e konkurse, si forma ku shoqëria përballet e reflekton.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb