Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, deklaratat e fundit mes krerëve të dy partive të mëdha, Edi Rama dhe Lulzim Basha.

Murati tha se të dy lidershipët kanë nisur fushatën elektorale, duke shtuar se Rama është në një situatë më të disfavorshme, ndërsa gjuha e Bashës nuk është thjesht denoncuese, por është gjuha e një kryeministri në hije, që po iu prezanton qytetarëve programin e tij.

“Ne jemi në fushatë elektorale, ku Basha e ka nisur me përzgjedhjen e kandidatëve. Gjuha e tij nuk është thjesht denoncuese ose ankuese, por ai përpiqet që të shpallë dhe alternativën e tij. Është një kryeministër në hije, ose edhe në dritë, që iu thotë njerëzve se ‘ky është programi im, nëse vij në pushtet’. Nga një artikulim i fortë denoncues, ka ardhur duke u zbutur dhe ofruar më shumë si alternativë.

Nga ana tjetër kemi qëndrimin e sotëm të Ramës, që është më i disfavorshëm. Por edhe ai ka nisur të lozë në kundërsulm. Ai loz me kartën që Basha dhe lidershipi i PD janë politikanë të provuar më parë.

Sa i përket premtimeve të të dyja palëve, janë të përgjithshme, por ne duhet të jemi realistë, pasi realiteti është ndryshe. Rama tha sot që pandemia la 33 mijë të papunë, ndërkohë që ne jemi të vetëdijshëm që shifra ka lëvizur nga java në javë. Instat thotë që janë 50 mijë të papunë. Duket që kemi kakofoni mes shifrave, mes asaj që jep kryeministër dhe asaj të Instat.

Pse heshtje nga të dyja kampet për ndryshimet në Kod?
Atyre iu intereson t’i mbajnë listat të mbyllura, siç janë. Kemi një situatë paradoksale, ose qesharake, sepse ‘dy elefantët e mëdhenj’ të politikës, edhe Basha edhe Rama erdhën te pika për hapjen 100% të listave. Është mirë që përfaqësuesit tanë në Parlament ne t’i zgjedhim vetë, por nuk besoj se ka vullnet si nga Basha, ashtu edhe nga Rama, për hapjen e listave. Batutat dhe përplasjet, siç ishte sot që Rama e cilësoi Bashën “shalqi me provë”, janë një lojë për të zhvendosur vëmendjen nga tema e aktualitetit politik: Reforma Zgjedhore. Nëse ata do të kishin vullnet për hapjen e listave nuk do ta linin për në momentet e fundit. Të dyja palët janë të painteresuara për t’i hapur listat.

Reforma Zgjedhore do duhet miratuar për dy arsye madhore, e para se është ndryshuar Kushtetuta, por edhe për hapjen e negociatave, pasi është kusht i BE. Por, është Kushtetuta e re që imponon reformën, ndaj dhe palët besoj se do të gjejnë një zgjidhje. Besoj se hapja e listave iu intereson më shumë partive të vogla, më shumë se kryetarëve të partive të mëdha, të cilët nuk gjejnë konsensus jo se është e vështirë, por se janë për ruajtjen e pushtetit të tyre mbi emrat e kandidatëve.

Po roli i ndërkombëtarëve?
Topi është në fushën e ndërkombëtarëve. Nga pikëpamja formale opozita e ka dhënë dakordësinë për marrëveshjen e 5 qershorit. Nga ana tjetër, qëndrimi i ndërkombëtarëve është vendimtar për mënyrën si do të rrjedhin ngjarjet këto ditë. Ndërkombëtarët e detyrojnë mazhorancën të shtyjë votimin në Parlament, derisa palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Presioni i ndërkombëtarëve do të jetë vendimtar, nëse do t’i japin dritën jeshile Ramës, sigurisht që do të kemi votim, në të kundërt Rama do jetë i detyruar për të gjetur konsensus me opozitën. Besoj se në ditët në vijim do të kemi sërish mesazhe publike nga ndërkombëtarët drejtuar Bashës dhe Ramës, që do të jenë vendimtare për Reformën Zgjedhore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb