Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame ka shpjeguar sot në News24 me detaje se çfarë do të ndodhë me dixhitalizimin e Kadastrës dhe për cilat shërbime bëhet fjalë. Lame tha se janë 56 milionë dokumente për 4 mln pasuri që do të dixhitalizohen. Ai tha se kartela e pasurisë do të jetë online, pasi ka në përmbajtje dokumente që kërkohen shpesh nga qytetarët dhe pasi të jetë online dokumentacioni do të shkojë tek qytetari për një minutë.

“Kushdo që dëgjon thotë ‘o prapë inciativë’, ‘ça bëtë deri tani’, është normale për çdo temë, ‘gjetën shpikjet e radhës’. Kritiku më i madh i kadastrës nuk është Edi Rama, jam unë, konkurrojmë. Pjesë e këtij problemi që e diskutojmë, ka mbi 1 vit që kur agjencia e re mori formë dhe filloi të funksiononte, trashëgimia e vjetër brenda saj. Realisht faktet flasin vetë. Në 2017, por marr një vit, norma e shërbimit në kadastër ka qenë 103 ditë mesatarja. Aktualisht është 26 ditë, është pjesëtuar për 4 domethënë. Dhe unë prapë kritikoj veten, po tentojmë të shkojmë drejt 15-ditëshit. Në momentin që arritëm tek 26-ditëshi del dhe një problem tjetër. Cilat janë ajo pjesë e shërbimeve të lodhshme që mund të dixhitalizohen që nxirren nga defteri i punës hamallëkshe? Për të krijuar një staf sa më profesional që të merret me problematikat e rënda, po mundohemi që atë pjesë të shërbimeve hamallëkshe ta nxjerrim në shërbimin online. Në këtë pikë hyn çështja e dixhitalizimit të arkivës. Bëhet fjalë për të gjithë dosjen e qytetarit. Mora dosjen e shtëpisë sime. Dosja ka certifikatën e pronësisë, që është tapia e shtëpisë, si e dimë ne, është një copëshe dhe është e sigurt, është kartela e pasurisë, të dhënat e pasurisë i kërkon herë pas here, se tapia njëherë jepet. Kartela do i duhet një herë në 2-3 vite patjetër. Kartela ka disa dokumente. Deri më sot kur ti kërkon këtë shërbim, ‘dua kartelën’, aplikimi bëhej online, për të gjithë shërbimet që duhet, duhet të shkonte punonjësi ta merrte dhe ta shkruante me dorë, pasi e merrte në arkiv dhe pastaj i çohej qytetarit. Në një pjesë të kartelave e kemi dixhitalizuar, por prapë punonjësi duhet të shkonte ta hapte dhe t’ia çonte qytetarit. Ajo që duam të bëjmë ne, që me një klik që bën aplikimin dhe me një klik që bën pagesën merr kartelën. Në momentin që bën aplikimin, konfirmon pagesën, brenda një minute të vjen dokumenti”, deklaroi Lame, raporton “BalkanWeb”.

Ai tha se këtë gjë mund ta bëjë dhe noteri, duke hyrë nga llogaria e qytetarit që kërkon dokumentacionin teksa shtoi se pagesa do të jetë e vogël. “Klikon dhe i shkarkohet, prapë duke bërë pagesën që është e vogël. Rreth 60% e shërbimeve kërkohen për kartelën e pasurisë. Sa është volumi i kësaj historie, bëhet fjalë për 56 milionë dokumente që do skanohen. Dixhitalizohet vetëm kartela. Kjo bën që gjithçka që skanohet automatikisht. Bëhet fjalë për 56 milionë dokumente të rreth 4 milionë pasurive. Regjistrimi fillestar ka nisur në ‘96. Regjistrimi fillestar do të thoshte që për çdo pasuri kjo duhet bërë. Nuk janë bërë asnjëherë. Përveç rreth 700 mijë dosjeve, të cilat pjesërisht janë të dixhitalizuar dhe funksionon ky shërbim”, tha Lame.

Ai shpjegoi më tej se ky projekt do zgjasë dy vjet dhe do ndahet në dy faza.
“Në këtë projekt që do zgjasë 2 vjet, e programuam që mbaron një qytet, hidhet direkt, që të paktën të dalë nga fusha e luftës. Projekti është i ndarë në 2 vjet, 2022 dhe 2023. Në 2022 është e gjitha fasha bregdetare e bashkive të Shqipërisë që janë në zonën fushore. Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, etj që kanë më shumë transaksione. Fasha e dytë është gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë”, tha ai.

Kreu i Kadastrës deklaroi se do të ketë një staf prej 230 punonjësish për fazën e parë dhe 150 do të mbahen për fazën e dytë, teksa tregoi dhe koston që i shkon buxhetit të shtetit.
“Qytetari nuk do e marrë vesh që kjo gjë po bëhet, po e dëgjon nga unë sot dhe kur të përfundojë. Prandaj do bëhet me financim të buxhetit të shtetit. Nuk do kenë punë fare me drejtorinë, do ketë punonjës të tjerë, 230 veta për 2022 dhe 150 për 2023, po nga këta. I gjithë projekti është 652 mln lekë të reja, rreth 6 milionë e gjysmë dollarë. Janë dy komponentë të rëndësishëm, një fond pagash, e dyta janë pajisjet për ta, skanerat, kompjuterët, softet. Të dy këta komponentë shkojnë 6 mln e gjysmë dollarë. Nuk janë me tender. Më mirë të krijojmë një staf ekspert që do të trashëgojë punën po brenda dhe do jenë kontingjent pune për zonat e Kadastrës. Qytetarët nuk do dinë fare që kjo punë do bëhet. Një gjë tjetër që nuk duhet ta dinë fare qytetarët, ku janë zyrat e Kadastrës. E kemi filluar si projekt në disa qytete, ta shpërngulim fare Kadastrën nga qyteti. Nuk duhet ta dimë fare, apliko online. Ka qenë një projekt i joni qëkur u krijua Kadastra në 2019, që duhet të shkojmë drejt tendencës së grumbullimit të drejtorive dhe duke shkuar drejt dixhitalizimit, nuk kanë pse ta dinë ku ndodhet fare Kadastra. Kjo bëhet për të shmangur torturën e qytetarit, të shmanget kontakti për shumicën e shërbimeve.  Ai që nuk di, ditën që do i duhen letrat e tokës, shkon tek noteri”, tha ai.

Lame deklaroi më tej se regjistri fizik është zhdukur me kohë dhe se tani është i gjithi online brenda institucionit dhe ka akses çdo punonjës me kodin e vet, lë gjurmë. “Nuk bëhen më me regjistra manualë dhe kjo ka shmangur historinë e letrës, brenda institucionit. Ka shërbime që aktualisht janë tërësisht dixhitale.
Sivjet në rang republike deri në këtë moment janë lëshuar 243 mijë certifikata pronësie. Vetëm sivjet kanë marrë tapinë 243 mijë familje online dhe i bie mesatarisht 1 mijë certifikata në ditë online”, u shpreh Lame.

Po sa të sigurta janë të dhënat e qytetarit në këtë proces dixhitalizimi?
“Unë mora dosjen time se nuk po ma jepte ajo e arkivit për qamet të një qytetari. U detyrova iu thashë me jepni dosjen time personale. Në momentin që ti ke hapur llogarinë tënde në e-Albania, llogaria jote në e-Albania është më e rëndësishme se ty. Aty do kesh historitë e tua me doktorin, me vaksinën, me kadastrën, me transportin, të çdo gjëje. Po e humbe apo po ia dhe në mënyrë të papërgjegjshme noterit, i ke dhënë akses në të gjitha të dhënat e tua. Në këtë moment nuk ta ka fajin as Kadastra, as AKSH-i që t’ia ia ke dhënë në mënyrë të papërgjegjshme”, tha Lame.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb