TIRANE- Fondi arkivor i Komunitetit Bektashi do të dixhitalizohet tërësisht me kontributin e vetë komunitetit, dhe kopjet dixhitale të tij do të ruhen në Arkivin Qendror te Shtetit dhe në Kryegjyshatën Botërore.

Kjo mundësohet falë marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, Ardit Bido, dhe Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.

Bido tha gjatë fjalës së tij se, kjo marrëveshje është e rëndësishme në dobi të Arkivit Qendror Shtetëror, pasi mundëson dixhitalizimin e shpejtë të dokumentacionit, në bazë të kontributit të fondkrijuesit.

Nga ana tjetër, edhe Komuniteti Bektashi do të përfitojë materialin e tij me të drejtën e fondkrijuesit. Ai theksoi se ky model bashkëpunimi mund të shërbejë edhe për cilindo fondkrijues tjetër, privat apo shtetëror, duke sjellë dobi të dyanshme.

Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për këtë mundësi bashkëpunimi dhe mbështeti Drejtorin e Përgjithshëm në dëshirën për të vijuar me projekte të tjera.

Fondet e bektashinjve në Arkivin Qendror të Shtetit datojnë rreth vitit 1850.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb