Ish-zëvendës ministri i Brendshëm Avenir Peka i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka deklaruar se në vend “djajtë kanë dalë nga shishet”, duke iu referuar skandaleve të zyrtarëve të administratës.

Sipas tij një gamë e zyrtarëve të nivelit të dytë duket se nuk kanë frikë nga asgjë dhe fakti që nuk kanë frikë do të thotë se në mendjen e tyre ata kanë një garanci, e cila është se ligji nuk do veprojë mbi ta.

Peka kujtoi rastin e një zyrtareje e cila u kap duke transportuar drogë pak ditë para vitit të ri dhe atë të ish-zyrtares së Kryeministrisë Alda Klosi të cilës iu vodhën mbi 100 mijë euro nga banesa, të cilat sipas tij kanë qenë raste aksidentale.

“Pak ditë para vitit të ri një zyrtare u arrestua duke transportuar drogë, por u mbulua nga ngjarjet e tjera. Djajtë kanë dalë nga shishet më ngjason, gjithë kjo gamë e zyrtarëve të nivelit të dytë nuk kanë frikë nga asgjë dhe fakti që nuk kanë frikë për asgjë do të thotë që në mendjen e tyre kanë një garanci. Kush është garancia? Garancia është që ligji nuk do veprojë mbi ta, nëse vazhdon kështu më ngjan që ky vit dhe ata në vazhdim do mbushen me ngjarje të tilla. Këto që kanë dalë kanë qenë raste aksidentale.

Nuk mban askush para të pastra 500 mijë euro në shtëpi, në banesë mbahen para për shpenzime të familjes. Zyrtari, kushdo që ka qenë zonja Klosi është normale që thotë që nuk janë të sajat sepse i ka të humbura gjithsesi”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb