Gazetarja Rudina Xhunga komentoi ngjarjen më të bujshme të aktualitetit, të ndodhura përgjatë kësaj jave, në rubrikën “Opinion”, në News24. Xhunga u ndal gjerësisht te vrasja kriminale e 49-vjeçarit Jan Prenga, pasi u mor peng dhe u dhunua barbarisht, më 17 janar, në Kamëz.

Referuar faktit se Prenga ishte vrarë pasi vëllai i tij trafikant nuk kishte dorëzuar 300 kg kokainë te banda kriminale, gazetarja tha se shqiptarët u japin anglezëve kokainën më të pastër.

“Po ndiqja lajmet, që fillonin me këtë ngjarje. Detajet flisnin për kokainën e pa dorëzuar nga i vëllai. Ai është rrahur e dhunuar në furgon dhe ka vdekur. Ai është vrarë pa shkak, sepse familjarët e tij janë përfshirë në drogë. Nuk mund të thuash ‘hëngshin kokat’, se po hanë edhe kokat tona. Në mendje na vjen shprehja “Djajtë” kanë dalë nga shishja, kush do t’i ndalë ato? Ne kemi pasur ’97-ën, nuk harrohet, kanë ndodhur çudira në këtë vend dhe mund të ndodhin sërish. Nuk më pëlqen të flas për krimin, e urrej krimin. Një pjesë e madhe e shqiptarëve që kanë dalë jashtë shtetit janë të kërkuar, pa dokumente, me probleme, të botës së nëndheshme, që iu japin anglezëve kokainë më të pastër. Shqiptarët kanë kokainën më të pastër, kështu që ka shumë probleme”, deklaroi Xhunga.

Pse rritet kriminaliteti?
Kriminaliteti rritet në gjithë botën, jo vetëm këtu. Lufta e drogës është gjetiu, jo këtu. Problemi është se ata janë në punë të pista dhe pretendojnë se do pastrohen rrugës, do bëjnë një pallat e do pastrohen. Jo, kjo është e keqja, nuk rregullohesh dot, do të të vrasin ty ose familjen tënde. Nuk bëhesh i pasur me këtë mënyrë, por vdes ti e familja jote. Ti dëmton veten dhe familjen. Ne nuk duhet të tregojmë detaje të krimeve.

Është forcuar krimin apo s’po e lufton shteti si duhet?
Shkojnë bashkë të dyja. Kriminelët në mbarë botën dinë të bashkëpunojnë shumë mirë. Paraja të mëson bashkëpunimin. Nuk matet me kryeministra, me Berishën apo Ramën, por me moshën tonë. Nuk ka pse të na e thotë “Rai3”, ne e dimë vetë.

Si ka reaguar shteti për pengmarrjen në Kamëz, sepse nuk u bë zhurmë fare?
Nuk e kam idenë çfarë ka bërë shteti kësaj kohe, se ca punë bëhen dhe në heshtje. Di të them që prej policisë e mora lajmin për vrasjen e tij. Jam që ca punë të bëhen në heshtje, të shtetit sidomos. Kurse media duhet t’i bëjë publike dhe mirë bën, ne do flasim e bërtasim për krimin. Ky është aktualiteti, nuk e mohojmë dot.

Reportazhi i “Rai3” për kanabisin …
Le t’i dëgjojmë, por nuk e di më mirë “Rai3” se gazetarët tanë këtu. Unë informacionin e besueshëm e marr vetë, se jam gazetare, nuk kam nevojë të besoj “Rai3”. Vazhdoj të besoj se nuk pres ta marr informacionin nga jashtë, e kam këtu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb