TIRANE – Të vetmit që folën me babain ishin policët, neve nuk na lanë as t’i afroheshim. Nuk e dimë as nëse babai vrau veten apo e vranë”. Kështu shprehet për “Gazeta Shqiptare” Sefer Doda, djali i 81-vjeçarit, i cili, pasi qëlloi nipin e tij, më pas vrau edhe veten. Seferi sqaron se babai i tij, Ahmeti, në fillim ishte zënë me djalin tjetër të tij, babanë e 20-vjeçarit të vrarë, dhe më pas ka qenë ky i fundit që është konfliktuar me gjyshin e tij. Pas debatit me fjalë, i moshuari ka marrë armën dhe në gjaknxehtësi ka qëlluar mbi nipin e tij, Roxhes Doda. Pas kësaj, 81-vjeçari është futur në banesën e tij dhe aty mendohet se ka vrarë veten. Por, familjarët e tij kanë dyshime edhe për këtë pjesë, pasi ata nuk kanë mundur që të kontaktojnë dot me të moshuarin para se të kryente aktin e vetëflijimit. “Pasi qëlloi nipin, babai u fut në shtëpinë e tij dhe më pas erdhi policia, e cila rrethoi gjithë zonën dhe shtëpinë. Neve familjarët nuk na lanë që të futeshim dhe ta shikonim babanë apo të flisnim me të. Më pas dëgjuam krismat, por tani, a vrau veten babai apo e vrau policia, këtë nuk e dimë me saktësi. Neve nuk na lanë as ta shikonim, as ta preknim. E morën e çuan në morg dhe pastaj e sollëm në shtëpi”, – pohon për “GSH”, Sefer Doda. Ai sqaron shkurtimisht se mes babait të tij të moshuar dhe nipit të tij, prej kohësh kishte pasur konflikte për shkak të një prone. “Konfliktet kishin nisur për shkak të një ndërtese që babai e kishte në pronësinë e tij dhe tani dhomat e saj ishin lënë me qira, por nipi donte të merrte pronësinë. Për këtë kanë nisur konfliktet”, – shprehet Doda, edhe pse dhimbja ia vështirëson shumë komunikimin.
(ar.sh/GSH/BalkanWeb)