Në 20-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit të çështjes kombëtare dhe intelektualit Ukshin Hoti, djali i tij, Andin Hoti ka kërkuar që sa më shpejt të zgjidhet çështja e të pagjeturve. Ai ka paralajmëruar që së shpejti do ta bëjë padi ndaj Serbisë për rastin e babait të tij.

Në një intervistë të dhënë për Telegrafin, Hoti tha Serbia duhet të përgjigjet për 1600 persona që janë të zhdukur nga forcat serbe.
“Zhdukja e babit dihet botërisht se ka ndodhur me forcë nga organet serbe, për shkak se babai ka qenë në burgun e Dubraves, dhe burgu i Dubraves është një institucion shtetëror, konsiderohet që është i sigurisë më të lartë të shtetit. Ne ende si familje, po ashtu sikur edhe familjet tjera mbajmë shpresë që të dihet fati i babait dhe i 1600 personave tjerë që janë zhdukur me forcë nga Kosova. Shumë shpejtë do të kem mundësi, dhe do të bëjë padi ndaj Serbisë për rastin e Ukshin Hotit”, tha ai.

Andin Hoti thotë se çështja e të pagjeturve nuk është më politike.
“Kjo çështje është më shumë humane sesa politike, ne nuk po kërkojmë ta kthejmë në politikë, në krejt çfarë po kërkojmë është që të dihet fati i familjarëve tonë, nëse është i gjallë ta kthejnë, nëse nuk është i gjallë ta kemi të paktën një vend ku mund të lutemi, të bëjmë homazhe e të dërgojmë lule”, ka thënë Hoti.

Për të mos zbardhjen e rastit të të pagjeturve nuk është vetëm Kosova fajtore, Hoti fajëson edhe ndërkombëtarët.
“Unë faktikisht disa herë e kam trajtuar në Kuvend çështjen e të zhdukurve, nuk është bërë asgjë, jo vetëm me fajin e Kosovës por edhe mos marrja e çështjes me seriozitet nga faktori ndërkombëtar dhe nuk është arritur një zgjidhje deri më sot për këtë çështje”.

Kurse sa i përket platformës shtetërore për dialog me Serbinë, Hoti tha se platforma nuk parasheh në mënyrë të duhur çështjen e personave të pagjetur.
“Unë kam kërkuar që pika kryesore e parë e dialogut në Bruksel të jetë çështja e të zhdukurve, duke përfshirë këtu edhe babain tim.
E kemi marrë një platformë shtetërore, na është servuar ajo platformë, unë e kam thënë edhe në Kuvend se këtë pikë nuk e parasheh në mënyrë të duhur, aty ka qenë e shkruar se Republika e Kosovës do të kërkojë nga Serbia që të zgjidhet fati i të zhdukurve. Kosova ka kërkuar që 20-vjet që të zgjidhet fati i personave të zhdukur, ne duhet të shkojmë me një formë tjetër, me kushtëzim. Ne si deputetë të Kuvendit nuk duhet të pranojmë marrëveshjen finale me Serbinë pa u trajtuar me seriozitet çështja e personave të zhdukur”, tha Hoti gjatë intervistës.

Hoti po ashtu tha se është faktori ndërkombëtar ai që duhet t’i bëjë presion Serbisë për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Serbia nuk bindet lehtë, sepse është krimineli dhe krimineli asnjëherë nuk e pranon krimin e vetë. Është faktori ndërkombëtar ai i cili duhet t’i bëjë presionin e nevojshëm dhe ta bëjë kushtëzimin, sepse Kosova nuk mundet edhe shumë të bëjë kushtëzim.
Faktori ndërkombëtar duhet ta bëjë kushtëzimin dhe Serbia t’i hap arkivat, sepse i ka ato arkiva, ka dokumente të shumta dhe fakte se ku janë dhe çfarë ka ndodhur me personat e zhdukur. Nuk pres që të ndodhë ndonjë magji, e të zgjidhet komplet kjo çështje, por pres që të merret me seriozitet kjo çështje. Janë disa raste sikur rasti i babait, kur janë marrë persona nga spitale, e nëpër institucione tjera shtetërorë”, tha ai.

Ai tha se për rastin e Ukshin Hotit nuk mund të arsyetohet askush, sepse sipas tij, dihen emrat e gardianëve të cilët e kanë marrë dhe emri i drejtorit të burgut në atë kohë. Ai tha se ka qenë e pazakonshme që në ditën e diele të largohet nga burgu. Hoti tha se Kosova nuk është ashtu siç ka deshtë babai i tij, megjithatë ai tha se po shkohet në atë drejtim.
“Kosova ndoshta nuk është ashtu siç kish deshtë me qenë babai im nëse do të ishte sot këtu, por mendoj që është në atë rrugë.
Unë mendoj që e kanë përdor e stërpërdorur emrin e babait, librat e platformat e tij politike, dhe që disa parti janë thirrur që po punojnë në platformë të babait, unë mendoj që babai deri sot asnjëherë nuk ka thënë që Republika e Kosovës nuk duhet të ekzistojë, dhe ne këtë e kemi dëgjuar disa herë, që disa parti politike nuk e kanë pranuar si Republikë e Kosovës, babai ka thënë se Republika e Kosovës duhet me qenë, me u fuqizu dhe që mund të punojmë drejt ëndrrës shekullore, bashkimin me Shqipërinë”.

“Disa prej ideve të tij, janë realizuar në Kosovë, po e ceku që edhe në vitin e 1991 babai ka kërkuar formimin e forcave të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo veç ka ndodhë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb