Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja shokuese e 24 prillit, ku një i mitur ende pa i mbushur 3 vjeç është dhunuar brutalisht. Autor dyshohet njerku i tij, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb”, më datë 24 prill rreth orës 12:00 është dërguar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësori, i mituri E.H., në maj mbush 3 vjeç, i cili kishte shenja dhune dhe fraktura në gjithë trupin.

Menjëherë pas konstatimit të faktit, mjekët e spitalit të Traumës, duke parë shenjat e dhunës dhe dëmtimet që kishte në trup i mituri dhe duke dyshuar lidhur me shkaqet e dëmtimit të tij, kanë bërë njoftim në sallën operative të policisë, duke kërkuar që ky rast duhej të ndiqej nga policia. Pasi i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore, i mituri është transferuar në spitalin Universitar, “Nënë Tereza” për një shërbim më të specializuar në repartin e pediatrisë ku gjendet i shtruar aktualisht.

Lidhur me sqarimin e faktit në vend kanë shkuar shërbimet e Policisë së Shtetit, të cilat kanë kryer veprimet procedurale lidhur me rastin, si këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e jashtme të trupit të të miturit, pyetur si deklaruese nënën e fëmijës, shtetasen A. H. dhe shtetasen S. D. me detyrë mjeke roje e spitalit dhe personi që ka trajtuar e ndjekur të dëmtuarin e mitur.

Mjekja ka deklaruar se “në momentin e parë që fëmija ka ardhur në urgjencë ishte i përgjegjshëm qante, ulërinte, ishte i grindur dhe thoshte më ka rrahur mami dhe babi. Pas këtij momenti filloi t’i rëndohej gjendja dhe nuk ka mundur të flasë më”. Të gjitha të dhënat mjekja i ka shkruar në kartelën e të voglit. Sot djali është në koma pasi ka mpiksje gjaku në tru dhe 3 brinjë të thyera.

Vetë 35-vjeçari Alfred Kazanxhi ka deklaruar se “unë isha në banjë kur dola e gjeta fëmijën të shtrirë në dysheme”.
Nëna e të miturit ka dëshmuar se ka qenë për të bërë pazarin kur është telefonuar nga bashkëjetuesi. “Po blija bukë e qumësht afër Institutit. Më ka marrë Alfredi dhe më tha se djali është pa ndjenja. Kur shkova tek shtëpia, gjeta ambulancën poshtë. Alfredi më tha që ka rënë nga divani. Në spital më thanë që djali kishte thënë se e kanë rrahur mami dhe babi”.

Ndërkohë një tjetër dëshmi vjen dhe nga familja ku punonte nëna e të miturit. Ata kanë thënë se kanë dyshuar se Alfredi mund të ishte i dhunshëm por se nëna e fëmijës nuk ua ka konfirmuar asnjëherë.

“E merrte gjithmonë djalin me vete në punë. Kur erdhi bashkëjetuesi nga Italia nuk e merrte dhe e linte me të. Njëherë na ka treguar foto të djalit me të nxira. Kemi dyshuar se kishte probleme”, kanë thënë ata.
Mësohet se Alfredi është i martuar dhe ka një grua në Lezhë. Me nënën e të miturit ishin njohur nga interneti dhe bashkëjeton prej 1 viti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb