“Kanuni është një traditë që duket se ka dalë nga mesjeta, por ende praktikohet në disa rajone të Shqipërisë. Ai konsiston në hakmarrjen për vrasjen e një anëtari të familjes duke vrarë një anëtar të familjes tjetër”, shkruan faqja online e emisionit “Le Iene”.

Kanuni është një ligj moral i tmerrshëm. Konsiston në hakmarrjen për vrasjen e një anëtari të familjes duke vrarë një anëtar të tjetrës. Nuk ka shpëtim, rrethi mbyllet vetëm kur gjaku lahet me gjak. Kjo nuk ndodh në anën tjetër të botës, por pranë nesh, në disa rajone të Shqipërisë.

Ky është thelbi i emisionit investigativ “Le Iene” në Italia Uno, i cili rrëfen historinë e Gjergjit, djalit shqiptar që u vra gjatë grabitjes natën mes 19 dhe 20 tetorit 2015 nga italiani 75-vjeçar Francesco. Por sot prindërit e tij kërcënojnë atë dhe familjen e tij. Ata thonë një version tjetër për ngjarjen dhe paralajmërojnë se do vrasin djalin e Francescos.

Francesku
Francesku

Luigi Pelazza u takua me viktimat e kësaj çmendurie, familje të cilat janë në gjakmarrje. Personat e kërcënuar, shpesh djem të rinj, janë të detyruar të jetojnë të ngujuar në shtëpi. Nuk mund të dalin as për të shkuar në shkollë, është mësuesja që shkon në shtëpitë e tyre.

Në këtë traditë ekzistojnë dhe disa rregulla, sikur të ishte një ligj i vërtetë. Për shembull, nëse personi i kërcënuar ka nevojë për të dalë nga shtëpia për të shkuar në spital, ndërmjetësit e dy familjeve bien dakord për një periudhë armëpushimi për të lejuar trajtimin.

Nga kjo traditë e tmerrshme, siç tregon Luigi Pelazza në raportimin e tij, ekziston edhe një gjurmë në Itali. Një burrë në vetëmbrojtje vrau një grabitës shqiptar. Familja e viktimës është betuar për hakmarrje.

“Francesco, faleminderit për vrasjen e djalit. Shteti italian ty të ka falur. Ti je gënjyer pas asaj falje, pa të gjetur nuk të lë. Dhe gjej vrimë e futu, ku të duash, strehohu sa të duash, mblidh bodigarda sa të duash, a me lekë, a me shoqëri, a vet unë, a vet djali një do të gjejë. E kanë me të ekzekutu”, thotë Marku, babai i viktimës.
“Nuk është i falur prej meje”, deklaron ai.

Në Kanun ka norma pozitive si mikpritja që është e shenjtë por edhe fenomene si gjakmarrja. Për të mos u çnderuar nga komuniteti, Marku dhe gruaja e tij maria duhet të hakmerren për vdekjen e djalit të tyre 24 vjeç, Gjergjit që në vitin 2015 humbi jetën në Itali.

“Djali im kishte karakter burrëror, ishte shumë i shkathët, ishte i preokupuar për familjen. Nga kjo mori rrugët e kurbetit. Qëllimi i parë ka qenë të punojë”, tregon Mark.
“Këtu asnjë lloj aktiviteti. Arsyeja ishte se nuk kishte punësim. Duke pasur parasysh se ne ishim në një skëterrë, një varfëri të madhe. Mori rrugët e kurbetit për me na dhënë një fije ndihmë sepse ne si familje jetojmë vetëm me 50 mijë lekë asistencë”, thotë Marku.

Maria
Maria

“35 euro në muaj, në fakt janë shumë pak para duke marrë parasysh edhe se çifti ka dhe 5 fëmijë të tjerë”, thotë gazetari.

Por si shkoi Gjergji në Itali?
“Me pasaportë, me autobus. Ai ndihej shumë mirë në Itali pasi kishte dhe ngrohtësinë e njerëzve të afërt”, tregon Marku.

I pyetur se çfarë pune bënte, Marku tregon: “Punë të ndryshme, sa në ndërtim, sa një gjë…”.
Deri sa një ditë ka ardhur telefonata që asnjë prind nuk do donte ta merrte kurrë. “Ishte e fejuara. Na tha, ‘babi, mami, Gjergji vdekur. Është vrarë nga një person, italian në moshën 80 vjeç. Me italianin kanë pasur pak probleme ditësh pune, lekësh. Ai ka kujtuar se po shkon për ta grabitur ai”, thotë Marku.

Kështu nga frika e grabitjes, 80-vjeçari ka hapur zjarr ndaj shqiptarit, duke e vrarë me një plumb afër zemrës. Por burri nuk është 80 vjeç siç pretendon Marku, sepse për koicidencë është një njohje jona e vjetër. Bëhet fjalë për Francesco Scignano, i njohur për kronikat kombëtare sepse (kronika e vitit 2016: ku thuhet se ka gjetur një hajdut në shtëpi dhe e ka qëlluar duke e vrarë).

“Në atë kohë folëm me të për të hetuar për rreziqet e atyre që mbajnë një armë në shtëpi dhe e përdorin për t’u mbrojtur nga një keqbërës. Por si një shaka e fatit, keqbërësi i kapur nga plumbi i Francesco Scignano ishte pikërisht Gjergji, djali i Markut.

“E dëgjova duke hapur dritaren. u Zgjova dhe shkova në kuzhinë. Mu hodh përsipër dhe qëllova, gjithçka ndodhi për 3 sekonda. Pistoletën e kisha poshtë jastëkut. Nuk i thashë unë të vinte në shtëpinë time. Është e drejta ime e shenjtë të mbrohem. Unë nuk ndihem më i sigurt. Tani mbaj një sfurk pranë shtratit pasi më kanë sekuestruar armën. Ai vdiq nëpër shkallë. Unë thirrja ambulancën. Të urgjencës më treguan që kishte vdekur”, tregonte atëherë 75-vjeçari.

I pyetur se çfarë mendoi në ato momente, ai tha: Është gjithmonë një djalë që vdes, i ri. Në nivelin psikologjik je i vdekur. Nëse do mundesha ta ktheja kohën një orë pas dhe ta fshija, do isha njeriu më i lumtur në botë”.

“Një tjetër version nga ai i prindërve të Gjergjit. Në vend janë gjetur kaçavidë dhe një prozhektor. I riu është i vdekur pa këpucë dhe me çorape në dorë, me sa duket për të mos lënë gjurmë. Policia dhe ekspertët e konfirmojnë si një grabitje. Çështja mbyllet. Por jo për prindërit”, thotë gazetari.

“Francesco ka para shumë, e ka kompromentuar policinë, ka kompromentuar ekspertizën edhe ka dalë çështja kjo që thua ti”, deklaron Marku.

Sipas jush në Itali është kaq e thjeshtë të korruptosh policin, gjykatësin, funksionarët e gjykatës, ata që bëjnë hetimet?
“Por avokatët kompromentohen me lekë shumë”, këmbëngul Marku.
I pyetur nëse iu duket normale që Gjergji ka shkuar natën, duke kaluar kangjellat për të kërkuar paratë tek italiani, Marku thotë: “Trupi është gjetur tek porta e jashtme. Djali im ka qenë me dy shokë, duke kaluar rrugës. Çuni është vrarë në 12 të darkës. Francesco ka gjuajtur nga sipër tek dritarja”.

Sipas asaj që tregon i ati i Gjergjit, kush e ka qëlluar e ka bërë nga shtëpia e tij, ndërsa djali kalonte pranë kangjellave. “Ai nuk kishte problem ditën e punës, do i merrte ditën tjetër”, thotë ai.

Gazetari iu kërkon të arsyetojnë dhe ta kuptojnë se djali ka hyrë në shtëpinë e italianit për të vjedhur. “Djali im është gjetur pa dorashka”, thotë Marku.

“Ai të mos flejë gjumë. Nuk e ka mbyllur çështjen me mua. Ne e kemi më vrave të vrava. Gjaku lahet me gjak”, thonë prindërit e Gjergjit.
“Ne e kemi me vra dorasin. Me Francescon nuk merrem. Me vra Francescon, më shkon pushka kot. 80 vjeç, ai është i vdekur. S’kam çfarë të vras. Francesco ka dy djem, vras djalin. Francescos sikur më ka dhembur zemra mua për djalin tim, t’i dhembë zemra Francescos për djalin”, thotë Marku.

Gazetari e pyet: Pra ti nuk kërkon hakmarrje me Francescon por me djalin e Francescos? “Dëshira ime është që Francsco gjallë e ta shohë djalin me plumb në zemër”, thotë babai.
Më tej gazetari i drejtohet nënës: Ti je nëna e Gjergjit, vërtetë e dëshiron vdekjen e një njeriu tjetër?

“Unë kam pas dëshirën si nëna e Gjergjit me ia marr gjakun vetë por grave nuk iu lejohet. Nëse babën nuk e ka pasur Gjergji, unë do kisha luftuar e do i kisha çuar dy çunat për t’i marrë gjakun Gjergjit”, përgjigjet ajo.

“Por qëllimi është ta vras unë për arsye që të mos fus në burg çunat. Unë e kam mbaruar jetën time, që me vdekjen e djalit unë nuk kam më jetë”, thotë babai.
Gazetar: Ju jeni katolikë, nëse gjërat janë siç thoni ju, përse nuk mundeni të falni?

“Jo, unë rri më i qetë se e mora gjakun e djalit tim”, thotë Marku.
Më pas gazetari takohet me Nikollën, një nga misionarët e pajtimit të gjaqeve që i tregon për situatën në vend. Më tej gazetari italian viziton një familje të ngujuar nga gjakmarrja dhe flet me djalin e tyre Marion.

“Është 16 vjeç dhe jeton në këtë shtëpi prej pak metrash katrorë me nënën, pasi babai është arratisur në male”, thotë gazetari. “Kam shumë vite që rri këtu. Miqtë vijnë rrallë”, tregon djali.
Mësuese Liliana shkon në shtëpi dhe e mëson dhe tregon se Mario ka dhënë provimet e klasës së 9-të dhe ka shkuar në shkollë me polici.

Mësuesja nuk pranon të japë statistika, ndërsa tregon se i kanë vrarë një nxënës adoleshent që nuk pranonte të ngujohej. Nëna e Marios tregon se kur shikon gjakësit, ndërron rrugë dhe nuk iu bie ndesh. Ajo rrëfen se dy ditë më parë kanë qëlluar me armë në drejtim të shtëpisë.

Gazetari e merr Marion dhe e nxjerr pak sekonda në oborr. Kjo është e ardhmja që Marku iu është betuar familjes së Francescos. “Unë do i marr të gjitha informacionet. Do interesohem ku punon djali. Do gjej pikat ku pi kafe, ku rri. Kur të gjej momentin me e vra unë do ndihem shumë i qetë, shumë i rehatuar. Edhe prej dritares, nëse kam snajper, jam i ligjshëm”, thotë Marku.
Gruaja pyetet nëse e di se marku do shkojë në burg për gjithë jetën nëse e kryen vrasje.

“Jam më se dakord se do përfundojë në burg, ose i vdekur. Kënaqem që gjithçka u mbyll dhe gjakun e djalit të vet e mori baba. Prindi e bën për djalin e vet dhe djali mudn ta bëjë për nënën e babën. Ia kemi borxh Gjergjit”, thotë gruaja.

“Unë nuk zgjodha që djali i tyre të ishte këtu. Ishte djali i tyre që zgjodhi të bëhej grabitës”, deklaron Francesco. Gazetari i tregon se të gjithë njerëzit e tij janë në rrezik.
“Unë nuk pranoj të jetoj kështu. Jetoj në një vend të lirë”, thotë Francesco që nuk e ka kuptuar rrezikun e situatës.

Gazetari më pas i tregon familjes se çfarë ka deklaruar familja e viktimës dhe ata indinjohen.

(m.k/da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb