Në pritje të Andrea Conti-t dhe zyrtarizimit të Fabio Borinit, Milan ka mbyllur një tjetër marrëveshje për një futbollist plot klas siç është turku Hakan Calhanoglu.

23-vjeçari që 3 sezonet e fundit i ka kaluar tek klubi gjerman i Bayern Leverkusen ka mbërritur sot në Milano për të kryer testet mjekësore dhe më pas për të firmosur kontratën me “djallin”, raporton “Corriere dello Sport”.

Calhanoglu është futbollisti i gjashtë që bëhet pjesë e Milanit në këtë merkato vere që duhet theksuar që e ka nisur me marshin e pestë. Në fillim Mateo Musacchio nga Villareal, Rodriguez nga Wolsburg, Kessie nga Atalanta, Andre Silva nga Porto, Borini nga Sunderland dhe tani Calhanoglu nga Bayern Leverkusen.

18 herë kampionët e “Seria A” shpenzuan 21 mln euro për transferimin e mëngjarashit turk. Në fillim Leverkusen kishte kërkuar 30 mln euro ndërsa Milan kishte ofruar vetëm gjysmën, por më pas është gjetur gjuha e përbashkët mes klubeve.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb