Humbja në derbi “shkundi” në themel Milanin, pasi kuqezinjtë vijojnë ecurinë pozitive në Serie A. Përballë Cagliari-t në transfertë siguruan fitoren e dytë radhazi, një trepikësh i rëndësishëm që mjafton për të kapur Interin në krye në kuotën e 15-të pikëve. Ekipi i Piolit shfaqi një futboll të bukur sulmues, por në prapavijë janë sërish të prekshëm teksa në zbritjen e parë në sulm, Cagliari i ndëshkoi në minutën e 29-të. “Djalli” u zgjua fuqishëm në fundin e pjesës së parë ku fillimisht Okafor në minutën e 40-të riktheu baraspeshën pas një gafe të portierit Radunovic. Milan nuk u mjaftua me kaq pasi në limitet e pjesës së parë, Tomori përfitoi nga një rrëmujë në zonë duke përmbysur rezultatin.
Në pjesën e dytë, Loftus-Cheek me një predhë nga distanca hipotekoi suksesin e Milanit duke sigluar shifrat në 3-1, një sukses që qetëson edhe trajnerin Pioli: “Duhet të kishim kaluar ne të parët në avantazh, por nuk i shfrytëzuam rastet që krijuam, më pas pësuan një gol të evitueshëm. U treguam të zotë, të kthjellët pasi përmbysëm shifrat me idetë tona të lojës. E merituam këtë fitore”, u shpreh Pioli ndër të tjera në konferencë për shtyp.

“Milan, britmë e dyfishtë. Fiton në Cagliari dhe kap Interin në krye”, shkruan La Gazzetta dello Sport.