PDIU ka reaguar për djegien e flamurit shqiptar në Sarandë nga minoritari grek Manolis Vitos duke ftuar SPAK të hetojë aktin e rëndë.

Në një deklaratë në FB,  PDIU shkruan se duhet një reagim zyrtar urgjent për djegien e flamurit por edhe për lajmin e krijimit të një formacioni ushtarak për aneksimin e jugut të Shqipërisë nga Greqia.

PDIU drejton gishtin nga kryeministri, për të cilin thotë se kur i duheshin votat betohej se do ngrinte zërin për Çamërinë, kurse sot hesht përballë shovinizmit fqinj teksa i ka plotësuar çdo kërkesë.

 

 

STATUSI NGA PDIU

Protestojmë fuqishëm për provokimet që po shfaqen në jug të vendit dhe heshtjen e autoriteteve shqiptare.

Ftojmë organet e prokurorisë dhe SPAK të hetojnë mbi aktet e rënda që çojnë vendin në skenare shumë të rrezikshm dhe cënojnë integritetin territorial të Shqipërisë.

Djegia e flamurit kombëtar të Shqipërisë nga ekstremistë greke dhe lajmi për krijimin e një formacioni ushtarak për aneksimin e jugut janë ngjarje të rënda e vepra penale të rënda dhe kërkojnë reagim zyrtar urgjent. Ndërkoheë nga autoritetet shtetërore nuk ka asnjë prononcim për këto vepra të rënda që përdhosin simbolet kombëtare e cënojnë integritetin territorial të vendit.

Kryeministri shqiptar që betohej poshtë koshit të basketbollit, se do të ngrinte zërin për Çamërinë kur i kishte jetike votat e PDIU-së, sot mbyll sytë dhe hesht përballë provokimeve të shovinistëve fqinje. Ju ka përmbushur atyre çdo kërkesë, nga mbushja e jugut me varret e ushtarëve pushtues, që i nderon me ceremonial shtetëror, heqja e vendlindjes për të moshuarit e Çamërisë, censusin e popullatës sipas kërkesave të Athinës zyrtare, nderimi i andartëve grekë që masakruan shqiptarët në jug, e që sot kanë buste në territorin e Republikës së Shqipërisë për turpin e të gjithëve në dënimin me heshtje e harrim që i bëri Çamërisë.

Heshtja e tij flet shumë për nënshtrimin e politikës shqiptare ndaj shovinizmit fqinj.

Ftojmë organet e prokurorisë dhe SPAK të hetojnë mbi këto akte të rënda që mund të çojnë vendin në skenare shumë të rrezikshme, e të cënojnë integritetin territorial të Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb