TIRANË – Ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare Gentian Demaliaj, lideri i grupit të njohur të viteve ‘90, “Djemtë e Detit”. Këngëtari nga Lezha kishte pak vite që vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Para dy vitesh Qeveria shqiptare i dha një fond nëpërmjet të cilin të mbështesë një pjesë të shpenzimeve spitalore. Shuma që iu dha ishte 35 milionë lekë të vjetra dhe vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Gent Demaliaj u mirëprit edhe si anëtar jurie në festivaleve të RTSH, gjithashtu edhe në muzikale si ai me Elsa Lilën. Ai ishte i martuar dhe ka një vajzë, Edean, këngëtare shumë e talentuar që ka fituar në Festivalin e Shkodrës, çmimin “Zërat më të mirë”, ndërsa në Festivalin e Tiranës u vlerësua me çmimin “Interpretuesja më e mirë”. Për të vazhduar ëndrrën dhe për të treguar dashurinë ndaj të atit, ajo vendosi të provojë talentin e saj të trashëguar në muzikë dhe momentalisht ka kaluar fazat e para të audicioneve të “X Factor Albania”. “Jakup Ferri”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Jo tani”, “Epos”, “Mos qaj” janë vetëm disa prej hiteve të këtij grupi. Gent Demaliaj është solisti i “Djemve të Detit”, një nga grupet shqiptare të rrokut, krijuar që në vitin 1989 e mbase një ndër më të rrallët e muzikës sonë. Të shumtë kanë qenë artistët që kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kolegut të tyre, Demaliaj. “Një mik i shtrenjtë i gjeneratës së rock-ut shkoi sot pranë engjëjve. Lamtumirë Gent Demaliaj! S’po di çfarë të shkruaj”, është shprehur Elton Deda në “Facebook” për mikun e tij. Homazhet për humbjen e një prej vokaleve më të spikatur të baladave dhe rock-ut shqiptar do të mbahen sot në orën 12:30, në hollin e RTSH.
.

https://www.youtube.com/watch?v=Q-yFymTNBL4

(d.b/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: