Novak Djokovic kalon në gjysmëfinale të Wimbledon, pas një ndeshje maratonë që zgjati 3 orë e 35 minuta, duke fituar 3-2 me përmbysje ndaj italianit Jannik Sinner. Tenisti serb po humbiste me 2 sete, por Djokovic mori zemër dhe fitoi tre sete radhazi dhe gjithë ndeshje, duke mbetur pretendent për fitimin e turneut londinez.

Përpos rivalitetit dhe pikëve spektakolare, episodi që ra në sy ishte momenti kur tenisti italian u dëmtua, ndërsa serbi kaloi rrjetën dhe i shkoi në ndihmë. Ky moment mori ovacionet e publikut. Kjo është gjysmëfinalja e 11-të në karrierë për Novak Djokovic, që do të përballet me britanikun Cameron Norrie, i cili mundi 3-2 belgun David Goffin pas një maratone që zgjati 4 orë.

Te femrat, për herë të parë në historinë e tenisit, një afrikane shkon në gjysmëfinalen e një grand slam. Bëhet fjalë për tunizianen Ons Jabeur, që avancon mes 4 më të mirave në Wimbledon. Në çerekfinale, ajo mundi 2-1 çeken Marie Bouzkova.

Një fitore me përmbysje e tenistes afrikane, aktualisht numri 3 në botë. Ajo është tenistja e vetme nga “top-10” e kualifikuar dhe konsiderohet si favorite për këtë turne. Përballë saj në gjysmëfinale do të jetë tenistja gjermane Tatjana Maria, numri 103 në botë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb