Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, vlerëson raportin pozitiv të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mesazhi i ministrit është publikuar në faqen e “Facebook” të ambasadës gjermane, ku ndër të tjera diplomati thekson se do të angazhohen për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit me të dy vendet.

Postimi i ambasadës gjermane:

Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas deklaroi sot në lidhje me prezantimin e raporteve të ndërmjetme të Komisionit Evropian ?? për Shqipërinë ?? dhe Maqedoninë e Veriut ??:

“Komisioni Evropian i dha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përsëri një dëftesë të mirë. Të dy vendet kanë bërë progres të qartë në reformat e rëndësishme – para së gjithash në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ne ndajmë vlerësimin pozitiv të Komisionit të BE-së. Për këtë arsye ne do të angazhohemi në rrethin e BE-së për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit me të dy vendet. Negociatat e anëtarësimit janë instrumenti më i mirë për t’u dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbështetjen më të mirë të mundshme dhe për t’u kërkuar atyre progres të mëtejshëm.

Pa një sinjal inkurajues të BE-së, ne do të rrezikonim përparimin e madh të viteve të fundit. Kjo do të dëmtonte interesat e BE-së dhe të Gjermanisë. Ne kemi nevojë për shtete ligjore demokratike, të qëndrueshme dhe efikase në Ballkanin Perëndimor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb