Shqetësimit që deputeti socialist, Erjon Braçe, ngriti me tone të larta në parlamentin shqiptar për faktin se tregtarët e mëdhenj importojnë grurë në Shqipëri nga Serbia me 51 lekë kilogrami, ndërkohë që mund ta blejnë atë në Tërbuf me 42 lekë, i bashkohen edhe bujqit e Tërbufit në Divjakë.

Bujqit thonë se gruri që tashmë është korrur nga tokat do të mbetet në magazina, pasi për ta nuk ka një treg apo çmim të sigurt. Krijimi i pikave të grumbullimit dhe vendosja e çmimit nga shteti janë kërkesat që kanë bujqit, të cilët shpenzojnë shumë, duke mos ditur a do të fitojnë për të mbuluar shpenzimet e tyre.

Shtrenjtimi i naftës apo dyfishimi i inputeve bujqësore e ka bërë të pamundur për fermerët që të nxjerrin fitime.

Mungesa e subvencioneve të premtuara po fundos fermerët shqiptarë, të cilët rendisin shumë vështirësi, me të cilat hasen.

Edhe pse Tërbufi njihet si një zonë me sipërfaqe të konsiderueshme toke për kultivimin e drithit, shume prej fermerëve e kanë braktisur këtë kulturë, për shkak të rritjes së kostove financiare vit pas viti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb