Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, komentoi deklaratën e fortë të Presidentit Ilir Meta, i cili tha në Komisionin Hetimor se ka pas informacione që në protestën e opozitës më 8 qershor do të digjej Parlamenti.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, Vasili tha se veprimi i Metës për të shfuqizuar 30 qershorin ishte një veprim i matur, pasi do të ndodhnin gjëra shumë të rënda. Vasili tha në studion e News 24 se ishte bashkë me Gazmend Bardhin, kur kishin parë një grup personash provokatorë, që nuk e dinin të kujt ishin.

“Meta është President deri në fund të mandatit. Kushtetuta thotë se nuk kanë çfarë të shkarkojnë, janë ata që duhen shkarkuar. Veprimi i Presidentit ishte shumë i matur. Bëhej fjalë për gjëra shumë të rënda, siç mund të ishte dhe djegia e Parlamentit. Isha bashkë me Bardhin, kur pamë një grup personash, që nuk e di të kujt ishin. Kishte provokatorë të shumtë. Ishte një klimë e tensionuar, sepse qeveria kishte qëllimin vetëm të bënte zgjedhje dhe t’ia linte fajin opozitës”, tha Vasili.

Deklaratat e Metës në Komisionin Hetimor …
Pashë një President që nuk ndryshon asgjë në funksion të Kushtetutës, me një gjuhë të përmbajtur, por edhe një njeri mbi palët. Edhe vetëofrimi i postit të Presidentit ishte një akt mjaft madhor. Parlamenti është një zorrë qorre e kryeministrit. Shumë mirë që opozita nuk është më pjesë e këtij Parlamenti.

Si e shihni 13 tetorin?
Nuk kam parë pyetje më budalle, se ajo e deputetëve në komision “çdo bëni ju me 13 tetorin?”. Çdo bëjnë këta me 13 tetorin, ata duhet të zgjedhin përfundimisht, sepse janë vendosur në kushtet e paligjshmërisë. Ne jemi shprehur qartë se për opozitën 13 tetori është datë e ligjshme zgjedhjesh. Këtu paligjshmëria është ulur këmbëkryq. Këta janë në një paligjshmëri, që i dërrmon fare si qeveri.

Si ju duk përgatitja e komisionit sot?
Kurioziteti nëse do shkonte apo jo Meta në komisioni ishte i trashë. Ilir Meta raportin me institucionet e ka të panegociueshëm, është kategorik. Kjo është cilësia më e vyer e një politikani shqiptar. Meta nuk bën pazar me principet, i nënshtrohet votës ose i bindet Kushtetutës. Nuk ka ndodhur kurrë për ne si LSI, të dalim kundër ligjeve të ngritura. Ai Parlament është një mjerim i vërtetë, sot u pa një nivel mediokriteti. Sot ne kemi vetëm një institucion, Presidencën, dhe kemi humbur gjithë shtetin. Në PS nuk kanë vdekur njerëzit e përgjegjshëm dhe që të mund të dallojnë këtë krizë.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb