Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha në një lidhje me “Skype”, në News24, se Shqipëria do të fundoset nga koronavirusi në vjeshtë, nëse qeveria nuk merr masa që tani.

Sipas tij, vala e dytë do të vijë, pasi kjo shihet edhe në vendet që janë future tashmë në stinën e vjeshtës, si Brazili apo Australia, ndaj dhe duhet të merren masa urgjente.

Panariti deklaroi se deri në fillim të tetorit qeveria duhet të sigurojë të paktën 2 mijë shtretër, pasi virusi tashmë prek çdo lloj moshe dhe të gjithë janë të rrezikuar njëlloj.

“Është një hipotezë kjo për valën e dytë, por e besueshme, se mjaft të shohim cfarë po ndodh në vendet që kanë hyrë në hemisferën e dimrit, ku kemi një rritje të ndjeshme të numrit të të infektuarve. Për këtë, me futjen e vjeshtës dhe dimrit do të kemi edhe ne një valë të dytë. Virusi është jashtë kontrollit, pasi ndodhet në transmetim komuntar, dhe tani ne nuk e kontrollojmë dot. Që tani duhet të avancojmë me përforcimin e kapaciteteve spitalore. Qeveria duhet t’i dalë përpara kësaj situate, duhet të sigurojë ato cfarë duhen, por edhe të nisë tentativat për vaksinën, sic po bën Kosova. Duhet minimalisht të dyfishohen kapacitetet spitalore. Maksimalisht deri në fillim të tetorit ne duhet të kemi të paktën 2 mijë shtretër, se vetëm në këtë mënyrë nuk do të fundosemi”, tha Panariti.

Kur mund të jetë gati vaksina?
Nuk e di. Ka shumë vaksina konkurrente, që nga ajo e Oxford, Italia, Kina, Rusia, SHBA, është bërë një konkurrencë jashtëzakonisht e madhe. Shpresohet që deri në fund të vitit ta kemi këtë vaksinë. Por edhe këtu nuk mund të rrihet duarkryq, Kosova ka nisur tentativat për t’u vënë në radhë, se nuk do të kujtohet kush. Duhet të fillojë Komiteti jonë të negociojë me OBSH, organizma të tjerë, shtete të vecanta, për vaksinën, për ta siguruar kur ajo të jetë gati. Këmbanat po bien, po shohim për ditë raste të reja që identifikohen. Të mos presim një shpërthim të dytë për të thënë ‘na zuri, nuk kemi cfarë bëjmë tani’. Nëse nuk ndërhyhet për të hapur Covid-3, Covid-4, për t’u lidhur me shtete të tjera për të siguruar pajisje, ose edhe vaksinën, do të fundosemi. Ky është një rrezik potencial që na kanoset të gjithëve.

Cfarë duhet bërë në mënyrë urgjente?
T’i afrohemi sa më shumë standarddeve Evropiane, të happen spitalet, të rritet numri i shtretërve, të rritet furnizimi me oksigjen, reanimatorë, medikamente të nevojshme, etj. Virusi ekziston, shkoni atje në Infektiv dhe shikoni. Mendoj se maska duhet të mbahet edhe jashtë, jo vetëm në ambiente të mbyllura. Virusi vetëm vdes, për të jetuar duhet t’i ngjitet dikujt. Nëse ne e lëmë veten të pambrojtur, ai shumëfishohet. Prandaj njerëzit duhet të respektojë masat, pasi ky është një rrezik që na kërcënon të gjithëve.

A është opsion mbylljae vendit në vjeshtë?
Nuk besoj se duhet mbyllur vendi, sepse jemi drejt falimentit. Njerëzit duhet vetëm të ruajnë veten, distanën. Më mirë të mbash distancë, se sa të mbijetosh me tubë, ku shanset për jetë janë shumë të pakta. Jemi në një situatë të rrezikshme, që mund të përballohet vetëm nëse gjithsecili respekton masat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb