Pesë fëmijë që rrinë vetëm prej ditësh. Sot do mblidheshin rreth tavolinës dhe për darkë, në ditën e parë të shkollës do hanin bukë thatë. Të paveshur, të pangrënë… Qëllon shpesh të bëjmë kronika e lajme për familje të pasura e jetë luksi, veshje të shtrenjta, stoli e makina mijëra euro po në anën tjetër ka dhe si kjo familje shqiptare.

Historinë e familjes Dunishi e sjell gazetari Enrik Mehmet, pa filtra, pa zbukurime me realitetin e tyre ulëritës.

Vëllai më i madh ka marrë përgjegjësinë për t’u kujdesur për të tjerët dhe e pret gazetarin si një i rritur. Me gjithë hallin që e ka zënë ai ka turp të kërkojë ndihmë, e zë sikleti dhe buzëqesh por brenda e di ai çfarë bluan.

Babai është i sëmurë, ka hequr shpretkën pasi e kanë plagosur dhe kohë më parë u plagos me granatë kur kërkonte për skrap, gjë që e përkeqësoi gjendjen e tij shëndetësore.

Jo më pak probleme ka gruaja e tij. Ajo vazhdimisht vuan nga problemet me mushkërinë dhe pankreasin.
E sot, djali më i madh tregon se ata kanë ikur të dy nga shtëpia, duke mos e përballuar më mizerjen ku jetojnë dhe faktin që s’mund të ushqejnë fëmijët.

“Sot isha në familjen Dunishi në ish Uzinën e Sodës Kaustike në Vlorë ku e kisha vizituar kohë më parë dhe me mamanë dhe ishte ajo që më porositi përsëri për t’i ndihmuar.

Një familje që jeton në kufijtë e skamjes. Sapo ndaloj makinën, 5 fëmijët e familjes dolën të gjithë duke u afruar. Mësoj se prindërit, të dy për shkak se nuk kishin me se t’i ushqenin fëmijët kishin debatuar dhe ishin larguar prej shtëpisë.

Më i rrituri prej fëmijëve kishte shkuar dhe kishte marrë një bukë veresie që ta hanin të 5 fëmijët thatë. Ambienti ku jetojnë është plot helme, lagështi por më e keqja është që nuk kanë bukë për të ngrënë. Sot nuk kisha plan për të shkuar atje thjesht u kujtova për fjalët e mamasë ditë më parë, gjë e cila mendoj se është pikërisht drejtimi i Perëndisë për të kryer këtë veprim minimal për të siguruar diçka për të ngrënë.

Unë do t’i ndihmoj me sa kam mundësi i kushtëzuar prej vajtjes dhe ardhjes në Tiranë për shkak të gjendjes shëndetësore të mamasë time por doja të jepja një apel për këdo që e prek sadopak kjo video. Ndihmojeni me sa keni mundësi këtë familje. I madhi prej fëmijëve më dha numrin e të ëmës së tij 068 214 2848 për këdo që ka mundësi. Ju lutem me sa keni mundësi ndihmojeni këta fëmijë. Kush ka mundësi t’i japë share postimit sepse ndoshta dikush mund të ketë mundësinë për ti ndihmuar…”, shkruan gazetari Mehmeti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb