“Për Vladimir Putinin do t’i dilja dhe plumbit para”. Kjo ishte deklarata që pak ditë më parë u dha nga Bernie Ecclestone, ish-shefi i Formula 1, duke shkaktuar jo pak reagime negative.

Ish-shefi i F1 shkaktoi zemërim duke e përshkruar Putinin si një njeri me vlera dhe “një person me klas”, por në një intervistë të dhënë sot në “Sky Sports News”, miliarderi kërkoi falje dhe sqaroi pikëpamjet e tij për luftën.

“Unë mendoj se shpesh njerëzit dalin dhe thonë gjëra ose bëjnë gjëra pa u menduar shumë. Me siguri kam bërë të njëjtën gjë. Unë mund t’i kuptoj njerëzit që mendojnë se po mbroj atë që ai ka bërë në Ukrainë, gjë që unë nuk e bëj. Unë jam rritur gjatë luftës, luftës së fundit, kështu që e di se si është. Kështu që më vjen keq që njerëzit në Ukrainë duhet të vuajnë për diçka që nuk kanë faj. Nuk kanë bërë asgjë të keqe. Ata nuk filluan asgjë. Ata duan të vazhdojnë jetën e tyre normalisht. Duan që fëmijët të shkojnë në shkollë dhe të përpiqen të shkojnë në punë dhe të fitojnë para për të siguruar jetesën për të mbajtur familjen. Pra, ata nuk e meritojnë të vuajnë. Nuk është mirë për askënd. Nuk mendoj se mund të përfitojë dikush nga kjo situatë, kështu që do të ishte mirë që ata të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një marrëveshje. Më vjen keq nëse ndonjë gjë që kam thënë ka mërzitur dikë, sepse sigurisht që nuk ka qenë ky synimi im”, u shpreh ai.

Kujtojmë se në intervistën që shkaktoi polemike, ndër të tjera, Ecclestone tha se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, para luftës ishte vetëm një komedian, duke shtuar se vijon të mbetet i tillë… vetëm një aktor.

Ai më pas këmbënguli se pushtimi mund të kishte përfunduar ndryshe nëse Zelensky do të kishte biseduar me Putinin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb