TIRANË

Rektori i Universitetit ‘Luarasi’, Et’hem Ruka ka reaguar përmes një mësazhi ngushëllues mbi ndarjen nga jeta të konstitucionalistit Kristaq Traja.

Ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes, Ruka shkruan se profesor Kristaq Traja, njëherësh dhe ish-rektor për dy vite në Universitetin Luarasi, do të gjithmonë si mendje ndritur dhe vizionar.

“Për ne pasardhësit e tij në Luaras, profesor Traja do të kujtohet gjithmonë si mendje ndritur dhe vizionar. Jemi krenar që profesor Traja, ka qenë pjesë e Luarasit dhe në emër tij i themi : Faleminderit Profesor Traja, figura si ju do t’i mungoni gjithmonë kujdo që ka patur fatin dhe ju ka njohur.”- shkruan ndër të tjera Ruka.

Mesazhi i plotë:

Me hidhërim të thellë sot u njoftuam për ndarjen nga jeta të Profesorit të së drejtës Z.Kristaq Traja dhe njëherësh dhe ish-rektor  për dy vite në Universitetin Luarasi.

Profesor Traja kishte një karrierë të shkëlqyer dhe ka mbajtur pozicione të rëndësishme në sistemin gjyqësor jo vetëm brenda vendit por edhe  jashtë vendit. Duke vlerësuar kontributin e tij në drejtimin e Universitetit Luarasi, shprehim ngushëllimet e sinqerta dhe të përzemërta për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.

Për ne pasardhësit e tij në Luaras, profesor Traja do të kujtohet gjithmonë si mendje ndritur dhe vizionar.

Jemi krenar që profesor Traja, ka qenë pjesë e Luarasit dhe në emër tij i themi : Faleminderit Profesor Traja, figura si ju do t’i mungoni gjithmonë kujdo që ka patur fatin dhe ju ka njohur.

Kush ishte KRISTAQ TRAJA

Kristaq Taja u diplomua në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1978. Ai gëzote një eksperencë 10-vjeçare si Gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Strasburg për periudhën 1998 – 2008 dhe është një ndër akademikët më të njohur në Ballkan për të Drejtën Kushtetuese.

Karriera e tij si profesionist në fushën e ligjit ka filluar në vitin 1986 ku ka ushtruar detyrën e specialistit në Sektorin e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme deri në vitin 1991. Ai ka qenë anëtar i Bordit të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë gjatë periudhës 1991 – 1992 dhe Zëvendës Ministër i Drejtësisë gjatë viteve 1992 – 1993.

Ai ka qenë gjithashtu anëtar i grupit të punës për hartimin e Kushtetutës Shqiptare të vitit 1998. Prej vitit 1994 ai është pedagog i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkollën e Magjistraturës.

Gjatë periudhës 2012 – 2014 ai ka qenë Rektor i Universitetit Luarasi. Gjithashtu, që nga viti 2008 ai është Avokat në disa studio ligjore prestigjioze në vend. Është autor i disa publikimeve dhe përkthimeve në fushën e ligjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb