Gabimet që bëjnë me fëmijët gjatë rritjes, mund të kenë pasoja në formimin e tyre. Lori Duro, edukatore, blogere e njohur në rrjete sociale tha sot në “Vila24”, moderuar nga Brunilda Lahe se fjalia që dëgjon më shpesh nga prindërit:

“Do i them mamit, apo babit pastaj!”, tregon paaftësi të njërit prind ndaj të vgjëlve. Duro vlerëson komunikimin me fëmijën, ndërtimin e një ndërveprimi mes tyre, me qëllim që kur të arrijnë në paraadoleshencë apo adoleshencë, të jenë përsëri pranë njëri-tjetrit e të mos krijohen distancat e dëmshme në familje.

Duro ndalet tek shqetësimi i përbashkët i shumë familjeve që ankohen e shqetësohen për të vegjëlit e tyre kur rebelohen, bërtasin, përplasin objekte apo përdorin fjalor të pisët, duke menduar se kjo do jetë pasqyra e tyre kur të rriten.

Ajo shprehet se këto janë thjesht sjellje e reflektime të ndonjë situate që fëmija është ndier keq apo i pambrojtur, ndërsa shton se ata mund të bëhen të rritur të dhunshëm apo të padenjë, ndikojnë situata negative në familje të cilat ata i adoptojnë në personalitetin e tyre.

Sa i përket jetesës e mirërritjes në rastin kur njëri nga prindërit është në emigracion, ajo propozon mbledhjen në darkë në telefonata me video përmes internetit ku ushqimi në tryeza të jetë pothuaj i ngjashëm e të flitet për ditën si ka kaluar. Në fund ajo thekson nevojën për të ecur para në raport me fëmijët edhe kur bëhet një gabim, për të konsoliduar lidhjen e fortë në familje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb