Kandidatja për postin e Kryeministrit në Britaninë e Madhe, Liz Truss u zotua sot se nëse fiton zgjedhjet që zhvillohen brenda Konservatorëve pas dorëheqjes së Boris Johnson do të deklasifikojë më shumë dosje të inteligjencës MI6 mbi aktivitetet e Rusisë.

Bërja publike e këtyre informacioneve, sipas Truss përfshihet në përpjekjet për të ekspozuar më tej ‘gënjeshtrat’ e kreut të Kremlinit, Vladimir Putin.

“Qeveria ime do të përdorë inteligjencën në mënyrë strategjike për të zbuluar përpjekjet e Kremlinit për të minuar dhe destabilizuar demokracitë liridashëse. Aty ku ka gënjeshtra do të ekspozohen, ku ka barbari do të dalë në shesh. Unë do të mbaj të njëjtën qasje të ashpër për të luftuar aktivitetin malinj nga shtetet potencialisht armiqësore dhe të tjerë që kërcënojnë sigurinë globale”, tha Truss.

Sekretarja e Jashtme, e cila sipas sondazheve është e kuotuar më lartë se Rishi Sunak për të fituar garën për lidershipin konservator, i ofroi Ukrainës sigurinë se nuk do të ketë ‘aleat më të madh’ se Britania nëse ajo bëhet shefja e Downing Street Nr. 10.

Tashmë kanë kaluar gjashtë muaj që kur Rusia nisi pushtimin e saj të fundit brutal në Ukrainë, me Truss që këmbëngul se “Putini nuk mund të fitojë me sulmin e tij ushtarak”.

“Ne do të vazhdojmë të shtojmë punën tonë për të kundërshtuar përpjekjet e Rusisë dhe regjimeve të tjera autoritare për të përdorur dezinformimin për të mbjellë konfuzion dhe për të minuar stabilitetin global, duke u mbështetur në aftësitë dhe mjetet që kemi në dispozicion së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë. Unë do të shkoj më tej si kryeministre duke bërë gjithçka që është e mundur, përfshirë deklasifikimin e më shumë dosjeve të inteligjencës për të ekspozuar librin e lojërave të Putinit para botës”, deklaroi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb