Kryeministri Edi Rama inspektoi këtë mesditë kantierin e rindërtimit në Laç, së bashku me ministrin turk të Urbanizimit dhe Mjedisit, Murat Kurum, dhe ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Zona 1 e lagjes së re, e cila po rindërtohet për banorët e prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, financohet nga qeveria turke, kurse zona 2 nga qeveria shqiptare.

Gjatë inspektimit, kreu i qeverisë Rama nuk i kurseu batutat me stafin turk, ku ministri Murat Kurum i tha ndër të tjera se “kështu siç po ecin punët do t’ia kaloni edhe Tiranës”.

PJESË NGA BASHKËBISEDIMI

Ministri Murat Kurum: Punojmë me 250 staf për momentin. Dëshira është që në muajin shtator, të përfundohen të gjithë. Punimet po vazhdojnë pa bërë asnjë kompromis sa i përket cilësisë.

Kryeministri Rama: Do ta transformojë komplet qytetin. Edhe puna që po kryehet është shumë cilësore. Ky është heroi i këtij projekti. Këtë duhet ta ngrini në detyrë pas këtij projekti.

Ministri Ahmetaj: Inshallah thotë ai se s’ia jep fjalën

Kryeministri Rama: Jo inshallah jo! Këtë e ke në dorë ti, Allahu ka në dorë punë të tjera. Doli një problem me metedologjinë dhe kanë bërë një punë fantastike. Ai Serveti aty. Kjo është pjesë e infrastrukturës që po bëjmë ne dhe këtu do ndërtohen edhe 200 apartamente të reja me financimin tonë.

Ministri Murat Kurum: Siç po ecin punët do t’ia kaloni edhe Tiranës!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb