“Shpallëm datën 7 korrik si protestë kombëtare. E shpallëm këtë datë sepse konstatonim se pakënaqësia është shumë e madhe ndaj kësaj qeverie. Protestën e datës 7 korrik e kemi preludin e sezonit të protestave kundër regjimit monist të Edi Ramës”.

Kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha teksa njoftoi disa ditë më parë se Partia Demokratike ka thirrur një protestë kombëtare që do të zhvillohet në Tiranë, më 7 korrik në orën 19:00.

Selia Blu e konsideron aleancën me qytetarët, shoqërinë civile dhe forcat politike që do të marrin pjesë në protestë si “Fronti i Shpëtimit Kombëtar” dhe slogani i tyre është “Shqipëria në rrezik”.

Berisha gjithashtu është shprehur në daljet e tij për mediat se Ramën e ka kapluar “tmerri i protestës dhe ka shpallur “Sali dipendencën”, teksa kryeministri kishte caktuar një konferencë për mediat në të njëjtën orë me paraardhësin e tij ditën e djeshme.

Madje Berisha ka parashikuar se Rama nuk do të jetë as në Kryeministri më 7 korrik, duke thënë te enjten se kryeministri “do ia mbathë nga Tirana”.

Dhe duket se “profecia” e kreut të PD-së mund të realizohet, pasi vetë kreu i qeverisë teksa inauguronte hapjen e aksit Kardhiq-Delvinë për qarkullim, la të nënkuptuar se e ka axhendën e zënë më 7 korrik.

“Tani mbaroj kjo tjetra është Llogaraja dhe do hapim Bypassin e Vlorës. Bypassi i Vlorës hapet në datën 7 dhe pastaj fillon “Korridori Blu”, me të gjitha lotët – Murriqan, Milot, Balldren, Thumanë, Kashar, Rrogozhinë, Lekaj, Fier”, tha Rama.

Me shumë gjasë kryeministri do të gjendet në qytetin bregdetar përkrah ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku për t’i dhënë dritën jeshile inaugurimit të kësaj vepre me tepër rëndësi në qarkullimin e mjeteve drejt bregdetit të Jugut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb