TIRANË

“Do t’ju vras dhe do ta mbyll njëherë e mirë me ju…”. Me këto fjalë, Gëzim Leka, i dënuar me 25 vite burgim për vrasje të dyfishtë, kërcënoi përmes telefonit gruan dhe djalin e tij.

Telefonata, e cila u përgjua në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku Leka ishte transferuar kohët e fundit, vuri në alarm autoritetet, të cilat e referuan rastin në polici.

Në kohë rekord, me kërkesë të prokurorisë, gjykata caktoi masën e arrestit me burg në mungesë ndaj Lekës, për akuzën e dhunës në familje.

Prokuroria tha se i dënuari e kërcënoi familjen pikërisht teksa po bëhej gati t’u jepte lamtumirën qelive, pasi me datë 11 korrik, ai kishte ditën e lirimit, pasi i kishte mbyllur hesapet me drejtësinë.

Gruaja e të dënuarit, e cila u pyet nga oficerët, iu tha atyre se ndihej e kërcënuar, pasi nëse ai dilte, jeta e saj dhe e fëmijëve, por edhe nipërve e mbesave, ishte në rrezik. Ajo tha se nuk kishte rrugë tjetër, veçse të largohej për të siguruar jetën.

Ndaj, pikërisht ditën që duhet të lirohej, oficerët i komunikuan Lekës masën e re të caktuar ndaj tij.

Prokuroria tha se Gëzim Leka ishte dënuar për vrasjen e vëllait të bashkëshortes së tij dhe më pas teksa ndodhej në arrati, pas një debati të fortë, ekzekutoi edhe dajën.

Leka u arrestua në Greqi dhe ekstradua drejt Shqipërisë dhe qëndroi 23 vite prapa hekurave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb