Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, tha se do të marrë pjesë në manifestimin e 2 marsit, të thirrur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Gjatë fjalës së saj, në takimin me strukturat e LSI në Shkodër, Kryemadhi tha se do të jetë më 2 mars në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si një qytetare, dhe jo se është me Ilir Metën, duke shtuar se ky i fundit, me tolerancën e tij dhe besimin që pati te PS, nuk u tregua i vëmendshëm për të mos lejuar këtë kapje të gjithë sistemit.

“Ky veprim nuk është thjesht për Arta Vorpsin, por për të marrë Gjykatën Kushtetuese. E pamë të gjithë që ai nuk pyeti, as për protestën e Teatrit, as për banorët e Unazës së re, as për gazetarët. Kjo sepse ai me Gjykatën Kushtetuese të tëra këto ligje, që ja ka kundërshtuar BE dhe Komisioni i Venecias, do t’i bëjë të ligjshme. Unë do marrë pjesë më 2 mars si qytetare, jo se jam me Ilir Metën, se Meta me tolerancën e tij dhe besimin që pati te PS, nuk u tregua i vëmendshëm për të mos lejuar këtë kapje të gjithë sistemit, nga Parlamenti, te qeveria, ekonomia.

Unë do jem në bulevard më 2 mars si një nënë, që fëmijët e saj do t’i shikojë në shtëpi, do jem si një bashkëshorte, që do të jetojë e qetë vitet që i kanë mbetur, do të jem si një bijë, që do të garantojë shërbim ndaj prindërve të saj pensionistë, që pensioni nuk iu del as për ilaçe, do jem si një motër, që ka vëllanë e saj pa punë dhe që ikën emigrant, do jem si një amvisë, që paguan faturat dyfish më shtrenjtë të energjisë elektrike, harxhon para dyfish për ushqime, do jem si një shtetase shqiptare, që i merret shpirti shtetit tim me taksa të larta. Taksat tona nuk shkojnë as për rrugë, as për ujë, po për fytyrën e nxirë të qeverisë së Rilindjes, e cila instaloi regjimin kriminal. 2 marsin do ta shikoj si një pjesëmarrje të thjeshtë, si çdo pensionist, do marr pjesë si çdo i papunë që ka humbur vendin e punës, si çdo studente”, tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb