BURREL

Kryedemokrati Lulzim Basha i rrethuar nga një numër i lartë mbështetësish në Burrel tha se shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre, që të çlirojnë sa më parë institucionet e kapura në vend.

Teksa i ftoi qytetarët në protestë, Luzim Basha tha se kjo qeveri ka rënë sepse është kapur duke vjedhur miliona euro.

Ai tha se gjatë tureve dhe takimeve nga jugu në veri ka parë një revoltë të madhe popullore dhe kjo do të arrijë kulmin të shtunën në orën 11:00 përballë kryeministrisë.

“Kjo është java vendimtare për Matin për Shqipërinë, për fatin evropian të Shqipërisë. Faleminderit për këtë temperaturë vere në ditë shkurti. Kam parë kudo që kam qenë varfërinë, tradhtinë ku Edi Rama me bandën e hajdutëve kanë bërë ndaj çdo shqiptari.

Kam parë pamundësinë ekstreme të prindërve që nuk sigurojnë dot fëmijëve bukën e gojës. Kriminelët në vend qe të rrinë në burg, nxirren nga burgu nga kjo qeveri. Kjo është e përditshmja e kësaj qeverie. Një palo-kryeministër, që rri sallave nuk di t’ia dijë për hallet tuaja. Sot ka shkuar thika në palcë. Kam ardhur sot në Mat jo vetëm për të parë si jeni. Unë me ju kam qenë dhe me ju do të jem. Bashkë me gjendjen e dëshpëruar ku ndodhet vendi kam parë  një zgjim të madh të popullit.

Ky zgjim i shqiptarëve, i juaji këtu, jam i bindur se vjen në radhë të parë se njerëzit e kanë kuptuar se janë zot të fateve të tyre. Nuk ka qeveritar që t’ju heq ju bukën e fëmijëve. Rama është kapur duke vjedhur. Kjo qeveri dhe ai kryehajdut janë sot lakuriq para shqiptarëve dhe mbarë botës, sepse janë kapur duke ju vjedhur. Kjo qeveri hajdute po ju heq përditë nga goja bukën e femijëve shqiptarëve për xhepat e saj dhe të një grushti hajdutësh e kriminelësh për të cilët punon.”-tha Basha, i cili ia numëroi Ramës ato që opozita icilëson si vjedhjet më të mëdha të qeverisjes 6 vjeëare të Ramës.

“Kjo qeveri është kapur duke vjedhur: ka vjedhur studentët, ka vjedhur minatorët, ka vjedhur të pamundurit, ka vjedhur banorët e Unazës së Re, ka vjedhur Teatrin, ka vjedhur Tiranën, ka vjedhur Durrësin, ka vjedhur Dibrën, Burrelin dhe Vlorën.” – shpreh Basha. Skandalet që Basha përmendi veë e veë I përkasin vetëm vitit të fundit.

“Kjo qeveri ka vjedhur votat, sic e tregoi VOA nga përgjimet e dosjes 339.  Në Unazë nisën të prishin shtëpitë e njerëzve për të vjedhur 18 milionë që do t’i merrte DH Albania, e cila nuk ekziston fare.  OSHEE do t’i jepte 12 milionë euro të tjera po kësaj kompanie që nuk ekziston fare.  Në mes të Tiranës u kapën me vjedhjen 200 milionëshe të Teatrit.” – u shpreh në Burrel Kryetari i opozitës.

Me 16 shkurt do t’i japim fund kësaj qeverie bandite. Të shtunën miqtë e mi mos harroni  se në anën tjetër të gardhit të policëve është kryehajduti që është kapur duke vjedhur lekët tuaja, paratë tuaja. Kurrë populli pas 16 shkurtit nuk do të këtë frikë qeveritë, por qeveritë do ta kenë frikë atë. Të mos largohemi nga sheshi pa larguar sistemin e kalbur që iu vjedh çdo ditë. Një ditë e re do të agojë pë shqiptarët.”, tha Basha.

(N.M/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb