TIRANË

Në mbledhjen e parë të qeverisë për mandatin e tretë, kryeministri Edi Rama ishte i prerë me ministrat e qeverisë ndërsa tha se kush shkel kodin e etikës, do të përballet me ligjin.

“Një tjetër cështje që aneksi i Kodit duhet të sanksionojë dhe të detajojë janë dhuratat e lidhura me funksionin. Sot, Kryeministria ka një muze të dhuratave dhe një magazinë të posaçme që ruhen të gjitha dhuratat për shkak të detyrës, që nga medaljonet e këmbyera në takimet zyrtare apo objektet e ndryshme artistike, pavarësisht vlerës së tyre, të ulët apo të lartë monetare, deri tek dhuratat me vlera shumë të larta monetare.

Deri në vitin 2013, nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare, zero, a thua se deri në 2013 këtu ka qëndruar një fuqi pushtuese, e cila ka ikur pa lënë asnjë gjurmë. Madje, jo vetëm nuk kanë lënë ç’kanë marrë, por edhe kanë marrë plot gjëra nga ato që kanë gjetur këtu apo godinat e shërbimeve qeveritare; piktura, abazhurë, karrike, kolltukë, tavolina, televizorë, kompjutera, pjata, lugë, pirunj, filxhanë, e me radhë.

Nuk bën përjashtim nga ky absurditet antishtet as historiku i zyrave administrore. Por meqë nuk është shkruar asgjëkundi detyrimi për të inventarizuar dhuratat dhe objektet ekzistuese të zyrave që ju do keni nëpër ministri, atëherë edhe kjo duhet shkruar në aneksin e Kodit, që të gjitha dhuratat e delegacioneve të çfarëdo natyre apo të individëve që tejkalojnë një vlerë të caktuar financiare si për shembull, si psh orët e dorës, duhen inventarizuar dhe ose duhet të qëndrojnë si pjesë e dekorit të zyrës suaj ose duhen dorëzuar në stokun e muzeut të dhuratave protokollare në godinën e Këshillit të Ministrave apo godinën e ministrive kur një hapësirë e tillë është e mundur.

Këto të gjitha mund të tingëllojnë si gjëra të vogla ose disave që me siguri do i komentojnë me lloj-lloj formash, mund t’i duken kinezerira. Por në fakt, këto kinezerira janë norma të zbatuara denbabaden në të gjitha shtetet që meritojnë të quhen të tilla.

Kodi do vlejë njësoj edhe për zëvëndësministrat dhe është detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë që krahas hartimit të aneksit të Kodit Etik të Këshillit të Ministrave, të sjellë në mbledhjen e tretë të qeverisë,  në bashkëpunim me sekretarët e përgjithshëm të ministrive edhe projektvendimin për rregullat e sjelljes që drejtuesve të lartë të institucioneve të pushtetit ekzekutiv, qofshin ato kombëtarë apo rajonale, të cilët do t’i nënshtrohen një sërë detyrimesh të natyrësh etike dhe duhet të marrim përgjegjësi publike, por edhe administrative për zbatimin e tyre.

Është detyra juaj të ndiqni ecurinë në procesin e zbatimit të këtyre rregullave që do miratojmë edhe për ta, me vetëdijen se ky popull nuk i ka borxh asnjë përfaqësuesi të lartë të administratës shtetërore, kapadaillëkun, tangërllëkun, dhe karshillëkun publik të shefave të llojllojshëm nëpër territor.

Një aspekt i rëndësishëm i Kodit tonë Etik, i cili është normë e kudondodhur në dokumenta të ngjashëm të shumë qeverive demokratike të botës, është respektimi i parimit të kolegjialitetit, jo vetëm në procesin vendimmarrës, por edhe në komunikimin publik, jo vetëm të anëtarëve të kabinetit qeverisës, por të të gjithë drejtuesve të lartë të institucioneve qëndrore apo rajonale të ekzekutivit.

E sjell këtë në vëmendjen tuaj si nevojë duke mbajtur parasysh domosdoshmërinë e koordinimit me kryeminsitrinë për çdo komunikim publik, në kushtet kur komunikimi tanimë është shtrirë gjërësisht edhe në rrjetet sociale.

Na kanë vrarë sytë në këto vite dhe na kanë bërë të ndjehemi keq në sytë e publikut disa raste të patolerueshme drejtorësh të institucioneve, të cilët papërgjegjshmërisht organizojnë mbrëmje tematiko-dëfrimi me kolektivin. Nuk flas as për 8 marsin, as për Vitin e Ri ku mund të organizohen festa, por kurrsesi me fondet e agjensive dhe drejtorive apo ndërmarrin të ashtëquajturat udhëtime pune jashtë shtetit me kanakarë të tyre, prej të cilave postojnë pastaj pa asnjë gajle momente të hareshme këndelljesh turistike, duke e bërë të neveritshme fare figurën e zyrtarit të shtetit.

Asnjë udhëtim pune jashtë shtetit, në ditët e punës për shtetin, me lekët e shtetit i asnjë delegacioni, grupi apo kolektivi për asnjë drejtues institucionesh në qëndër apo rajone që nuk kanë marrë miratimin tuaj dhe për të cilët nuk është njoftuar Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nuk do konsiderohet në përputhje me etikën e kësaj qeverie.

Dokumenti për rregullat e sjelljes së drejtuesve të lartë të administratës shtetërore duhet të parashikojë sanksione për çdo shkelje të normave të etikës të përcaktuara në këtë dokument, të cilën siç e thashë do ta miratojmë në mbledhjen e tretë të qeverisë.

Po ashtu, shpenzimet e asnjë vizite pune jashtë shtetit të asnjë ministri apo delegacioni apo grupi të kujtdo institucioni shtetëror në varësinë tuaj që nuk do mbyllet me dorëzimin në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme të raportit të vizitës, nuk do paguhet nga thesari i shtetit.

Fatimirësisht, kjo është rregulluar disi vitet e fundit nga ministrat dhe fakti që edhe vetë ministrat u desh kohë të mësoheshin me këtë praktikë elementare shtetërore, flet vetë për shkretëtirën tradicionale të ndërgjegjes së shtetit që trashëguam edhe në këtë drejtim.

Kjo duhet shtrirë në të gjitha nivelet e larta drejtuese të administratës shtetërore të ekzekutivit sepse është e pajustifikueshme dhe e patolerueshme që në këtë shtet të mos mbetet asnjë gjurmë e një pjese të konsiderushme vizitash dhe kontaktesh me jashtë, siç ndodh në cdo shtet serioz. Kjo quhet memorie e shtetit dhe të ikësh e të vish për punë shteti pa lënë asnjë gjurmë në memorie do të thotë që punët e shtetit mbetet vetëm për memorien individuale të shefave që ikin apo vijnë, ndërkohë memoria institucionale e marrëdhënieve me jashtë mbetet tabula rasa.

Ky është momenti për ta rikonceptuar dhe organizimin dhe punën e protokollit të shtetit të Kryeministrisë dhe ministrive në funksion të përmbushjes së plotë të nevojës jetike shtetërore për të vendosur në punë të gjithë mekanizmin e kësaj memorie që u hodh në erë dhe u tret nën gërmadha qysh prej vitit 1991 dhe në vitet e fundit ka filluar të vihet në jetë por është ende larg së qëni mekanizëmi i memories së një shteti serioz.

Një tjetër moment me rëndësi i Kodit Etik është përshkrimi i marrëdhënies së ministrit me administratën që drejton, ku ju kërkoj të merrni përgjegjësi të posaçme në të tëra aspektet. Së pari, në motivimin moral dhe profesional të administratës, bashkëpunim i ngushtë të strukturuar dhe sistematik me Departamentin e Administratës Publike dhe Shkollën e Administratës Publike.

Së dyti, në mbrojtjen e promovimit konstant të meritës në administratë duke vendosur autoritetin tuaj si një digë të pakapërcyeshme për ndërhyrje të natyres partiake, klanore apo klienteliste për vende pune në shtet.

Së treti, në garantimin e derës së për çdo shqiptar dhe shqiptare të talentuar, të mirëshkolluar, me eksperiencë punë brenda apo jashtë shtetit, duke u angazhuar ju seriozisht ju në vetë të pare, qoftë me aplikantët e Nismës Gati për Shqipërisë, qoftë me progresin në organizimin e punës së administratës, me prani fizike dhe online.

Pandemia na ka mësuar gjëra me vlerë të madhe dhe përtej faktit se në dinamikën e përballjes me mutacionet e virusit, mund të na duhet të rikthehemi të kombinimi i punës në zyrë dhe në distancë si masë mbrojtëse, ne duhet të shkojmë përtej pandemisë me këtë ide që na ka sjellë dhuratë koha.

Do zhvillojmë mbledhje të posaçme lidhur me këto pika dhe problematikat e administratës në tërësi prandaj nuk po zgjatem më tutje për të vazhduar me etikën në marrëdhënien me parlamentin.” tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb