Sali Berisha u shpreh sot në një deklaratë për mediat se gjobëvënia nga Rama dhe McGonigal shkon në 50 milionë euro, ndërsa shtoi se do të kërkojnë me ngulm ngritjen e komisionit hetimor.

Berisha tha se Rama ka kryer një seri aktesh të dënueshme, qoftë në ligjet e SHBA, qoftë në ato të Shqipërisë.

“Përsëri vazhdon bllokimi i komisionit hetimor për aferën Rama-McGonigal. Kjo është një aferë që kundërmon dhe dalin vazhdimisht fakte dhe dëshmi të reja. Edi Rama, së bashku me Oleg Deripaskën, është faktor kryesor i korruptimit të shefit të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal.

Edi Rama ka kryer një seri aktesh të dënueshme, qoftë në ligjet e SHBA, qoftë në ato të Shqipërisë. Afera McGonigal është Uotergejti i këtij shekulli. Edi Rama kontraktoi kryezbuluesin e SHBA si vrasës me pagesë të opozitës shqiptare. Edi Rama, ka shumë të dhëna se u bë pjesë e ekipit gjobëvënës të McGonigal. Muk ka asnjë vend tjetër në botë në të cilën drejtësia të mos thotë asnjë fjalë, megjithë denoncimeve publike të dy biznesmenëve të njohur.

Drejtësia është në vorbullën e aferës McGonigal. Sepse nuk mund të kuptohet që këta gjobëvënës, këta plaçkitës, qarkullojnë të lirë me avionë dhe helikoptera, në një kohë kur vendi i tyre është aty ku e kanë vendin të gjithë gjobëvënësit. Por ata këtë sistem e kishin vendosur me miratim të Edi Ramës.

Ne nuk heqim dorë nga funksioni ynë kushtetues i kontrollit të ekzekutivit dhe institucioneve në përputhje me ligjet. Edi Rama ka shkelur të gjitha ligjet e vendit. Ai është i implikuar në gjobëvënie që thuhet se arrin deri në 50 milionë euro. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Edi Rama e ka vendin aty ku e ka McGonigal sot. Nuk mund të shpëtojë nga drejtësia, ndaj dhe ne do insistojmë në ngritjen e komisioneve”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb