Zhvillimet e bujshme politike të vitit 2021 dhe ajo që e pret Shqipërinë në vitin e ri 2022 ishin temë diskutimi në studion e emisionit “Pikat mbi i”, në News24.

Për Drejtorin e Informacionit në televizionin News24, Robert Rakipllari, ngjarja më e madhe e vitit që po lëmë pas ishte mungesa e rotacionit politik, që sipas tij, bëri që të ndodhin edhe ngjarjet në opozitë, raporton “BalkanWeb”.

Ndërsa, sa i përket asaj se çfarë e pret Shqipërinë në vitin 2022, Rakipllari theksoi se “Mendoj se dinamikat politike të 2022 do të varen shumë nga ajo që po ndodh tani me goditjet antikorrupsion. Në varësi të goditjeve që do të ketë drejtësia e re, në cilin krah dhe në ç’nivel, mendoj se këto do të përcaktojnë karrierat politike jo vetëm të politikanëve të veçantë në Shqipëri, por edhe të rrymave politike, opozitë-mazhorancë. Dinamika politike e 2022 do të përcaktohet nga drejtësia”.

Edhe analisti Artur Zheji e cilëson mungesën e rotacionit politikë ngjarje të rëndësishme të vitit 2021, ndërsa thekson se me arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka dhe goditjen e mega-aferës së inceneratorëve SPAK tregoi se e ka ngulur thikën në plagë, dhe se sipas tij, po vazhdoi kështu, në vitin 2022 do të ketë arrestime të tjera të bujshme.

“SPAK duket se duke futur gishtin dhe shpatën në plagë, do ta shpërthejë këtë gjë dhe pres që 2022 të jetë viti i skandaleve, me arrestime të tjera të bujshme, që do ta çojnë Shqipërinë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Nëse ndërkombëtarët do të jenë kaq fiskalë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, po shpërthyen këto gjëra, do e kërkojnë edhe ata rrotacionin”.

Pjesë nga diskutimet në studio:
Zheji: Shumë shqiptarë që vendosin të kthehen për pushime në Shqipëri thonë se shumë gjëra nuk janë mirë këtu, por adrenalina është në maksimum. Në Shqipëri luftohet deri në momentet e fundit. Kemi një reportazh lufte sa i përket situatës brenda të djathtës. Shqiptarët që duan të jenë në opozitë, akoma nuk gjejnë dot ku të identifikohen. Forcat politike që garuan më 25 prill janë jo domethënëse, garuan vetëm për të rrëmbyer nga sfondi opozitar vota, pasi janë të gjitha jashtë opozitës qendrore. Ato morën nga një kafshatë votash të mjaftueshme për të dëmtuar opozitën. Shqipëria po shkon drejt disa sfidash të panjohura. Nga njëra anë kemi një opozitë që ose do thërrmohet, ose do rikopmaktohet; dhe nga ana tjetër kemi një shtet me shenja dobësie. Rrjedhja e të dhënave mund të shoqërohet edhe me dorëheqje të kryeministrit, por ky i fundit thotë ‘ja u dorëhoqa unë, por kush do ta drejtojë Shqipërinë, pasi në anën tjetër ka luftë’.

Rakipllari: Unë e shoh pak më ndryshe. Mendoj që ngjarja kryesore e 2021, që ka prodhuar gjithë anormalitetin, është bllokimi i rotacionit në zgjedhjet e 25 prillit. Prej kësaj ngjarjeje rrodhën edhe ato historitë tjera dhe u kuptua se disa të panjohura u zgjidhën. Pas 25 prillit, disa ditë më vonë, ish-kryeministri Berisha u shpall non grata nga SHBA. Marrëdhëniet e vështira të opozitës shqiptare me SHBA, ndryshimet kushtetuese, etj, çuan në këtë gjë, në faktin që mazhoranca nuk mori një mandat të tretë për mua, por rrotacioni u bllokua dhe ata e morën mandatin e tretë.

Kjo u zgjidh më 9 shtator, kur Basha përjashtoi Berishën nga grupi i PD. Kjo solli një zhvillim pozitiv, që opozita u afrua me SHBA, por nga ana tjetër krijoi përçarjen në opozitë, jo vetëm brenda PD, por edhe me LSI. Kemi një opozitë, e cila duhet të riformatohet. Kjo është ngjarja kryesore e 2021. Mendoj se dinamikat politike të 2022 do të varen shumë nga ajo që po ndodh tani me goditjet antikorrupsion. Në varësi të goditjeve që do të ketë drejtësia e re, në cilin krah dhe në ç’nivel, mendoj se këto do të përcaktojnë karrierat politike kjo vetëm të politikanëve të veçantë në Shqipëri, por edhe të rrymave politike, opozitë-mazhorancë. Dinamika politike e 2022 do të përcaktohet nga drejtësia.

Zheji: Sa i përket bllokimit të rotacionit, unë kam qenë hapur me atë pjesë që e donte rotacionin. Rotacioni do të ishte në shëndetin e Shqipërisë, të vetë kësaj mazhorance, që tani ka shenja kalbëzimi shumë të thella. Rotacioni do të krijonte një pastrim dhe do të evitonte atë qelbëzimin e mëtejshëm. Por, me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, u kuptua që me daljen e aferës së inceneratorëve, është dashur që më 2015, kur janë lëvruar këstet e para të inceneratorëve, që është krijuar një mega-buxhet, që ka shkuar në interes të PS, për të shpërndarë llogma të mëdha, dhe kjo do të dalë, për devijacione politike, pra kalime deputetësh apo njerëzish me elektoratin e tyre nga një formacion politik drejt PS. Dukeshin të habitshme këto, por bëhet fjalë për interesa shumë të mëdha për të bërë këto devijacione. Tek afera e inceneratorëve, dhe me arrestimin e një ish-ministri, mund të themi që kemi pagëzimin e SPAK, që tani është një shpatë drejtësi-vënëse jo thjesht në ëndrrat e shqiptarëve, por që ka shpuar atë puçrrën e madhe të qelbit të mëkateve shqiptare. Kjo do të efekt domino në shumë personazhe të tjera dhe do të dalë piktura e madhe se si krijohen këto mega-afera për vota. SPAK duket se duke futur gishtin dhe shpatën në plagë, do ta shpërthejë këtë gjë dhe pres që 2022 të jetë viti i skandaleve, me arrestime të tjera të bujshme, që do ta çojnë Shqipërinë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Nëse ndërkombëtarët do të jenë kaq fiskalë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, po shpërthyen këto gjëra, do e kërkojnë edhe ata rrotacionin.

Rakipllari: Zgjedhjet e parakohshme i shoh pak utopi, në kuptimin e asaj që mund të zgjidhin diçka, pra nëse mund të jenë ato zgjidhja që mund të ndodhë që më 2022-shin. Bllokimi i rrotacionit për mua ndodhi për shkak të marrëdhënieve të tendosura, ose mungesës së marrëdhënieve, të SHBA me opozitën në Shqipëri. U lejuan ndryshimet kushtetuese, që ishin komplet të njëanshme, dhe pastaj pamë që problemet që opozita u përpoq t’i denonconte nuk patën mbështetjen e SHBA. Kjo u kuptua me shpalljen non grata të Berishës. Bllokimi i rotacionit ka ardhur, për shkak se ndërkombëtarët nuk e kanë dashur në fillim.

Zheji: Nuk jam dakord me këtë, sepse i bie që ndërkombëtarët kanë bërë ndërhyrje të brendshme në Shqipëri.

Rakipllari: Ndërhyrje të brendshme të ndërkombëtarëve te ne ndodhin çdo ditë, se jemi vend i NATO, kemi lëshuar sovranitet. Ndërhyrjet kanë qenë në interesin publik, në çdo rast. Mendoj që ndërkombëtarët nuk do të kishin toleruar ndryshimet kushtetuese të vitit 2020, pra ndryshimin e sistemit.

Zheji: Fitoren në tavolinë të Ramës.

Rakipllari: Po pra. Normalizimi i marrëdhënieve të PD me SHBA, thirrjet e shpeshta që ata i kanë bërë SPAK, vizitat e shpeshta të ambasadores amerikane në zyrat e SPAK, këto i quajmë ndërhyrje të brendshme të ndërkombëtarëve, por janë ndërhyrje të shëndetshme.

Zheji: Dukuria më vrastare e Shqipërisë ka qenë pandëshkueshmëria. Vidhje votat nuk ndëshkoheshe, vidhje shtetin nuk ndëshkoheshe, vidhje ëndrrat e shqiptarëve dhe nuk ndëshkoheshe. Tani kush mund të ndëshkojë? Ose do vijë ndërkombëtari, gjë që nuk e bën dot, ose do i japë armën shqiptarit, duke bërë drejtësinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb