Presidenti Ilir Meta ka sqaruar për mediat se pse ftoi në një takim kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ku folën për datën e zgjedhjeve. Ai tha se nuk ishte një ftesë zyrtare apo konsultim.

Mes të tjerash ai ironizoi se kishte merak mos maxhoranca do të bojkotonte zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashki.

“Kalojmë te çështja e konsultimeve. S’ka pasur ftesë zyrtare për asnjë forcë politike në vijim të koherencës dhe qartësisë për të cilën jam shprehur në opinionin publik dhe për atë që flet legjislacioni, për zgjedhjet e imponuara për shkak të vakancave. Për të zgjidhur këtë çështje një herë e mirë, me iniciativat e mia që kanë qenë zyrtare, me KQZ, qeverinë dhe Kuvendin, në të gjitha veprimet që kam ndërmarrë, kam komunikuar me këto institucione. Dhe më Gjykatën Kushtetuese për çështjen e Lushnjës. Presim vendim zyrtar brenda ditës së sotme. Në rast se unë do të kisha bërë një ftesë për partitë, ato do t’iu ishin drejtuar të gjitha forcave politike. S’ka pasur ftesë për PS, se kjo do i bëhej dhe kryetarit të partisë që ka angazhime të tjera të rëndësishme, apo dhe sekretarit të përgjithshëm. ka pasur një kërkesë informale po dhe zyrtare ta quajmë, s’u bë qahmeti me kryetarin e shumicës në Kuvend, i cili është zoti Balla. Meqenëse kemi pasur disa dilema të interpretimit të ligjit apo procedurave lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Qëllimi im ishte që brenda afateve ligjore të mbaheshin. Por edhe për punën e KQZ, pasi bëhet fjalë për 6 bashki, që përfundon në Theth dhe përfundon në Lushnjë. Besoj se duhet të jepja një sqarim me zotin Balla si përfaqësues i shumicës në Kuvend, për një vendim të komisionerit të KQZ, Celibashi, që çdo ditë më shumë kohë për këtë institucion do të ishte ndihmuese për një proces cilësor. S’do donim të kishim debat me shumicën për çdo diskutim ligjor.”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: