TIRANË

Analisti Fatos Lubonja foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për krijimin e partive të reja në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

I pyetur në studio nëse këto parti të reja do t’i shërbejnë kryeministri Edi Rama apo do të përbëjnë një pol tjetër, Lubonja u shpreh se kush krijon parti para zgjedhjeve, ose është delirant, ose është i blerë.

Të njëjtën gjë pohoi analisti edhe për Jozefina Topallin, për të cilën flitet se do të krijojë parti.

“Kush krijon parti në prag të zgjedhjeve ose është delirant, ose është i blerë nga Rama. Nëse duan të krijojnë parti, duhet ta bëjnë pas zgjedhjeve, që të tregojnë se janë njerëz që kanë vërtet një qëllim”, tha Lubonja.

Pyetje: Mund të jetë Topalli delirante ose e blerë nga Rama?
Lubonja: Njëra nga të dyja patjetër. Ajo që mendoj unë është se këtu një pjesë e mirë e njerëzve kuptohet se kanë një emocion negativ ndaj Lulzim Bashës, që i ka nxjerrë jashtë. Po ti shohësh ata flasin më shumë kundër Bashës se kundër Ramës. Deri këtu është normale, por të krijosh parti është problem, sepse duhet ta kapërcesh emocionin dhe pastaj të krijosh parti. Ata duhet të kalojnë përtej inateve dhe interesave dhe të shohin kush është problemi kryesor në vend. Përvoja ka treguar se kush ka krijuar parti para zgjedhjeve o është blerë, o është delirant.

Më tej, analisti u ndal dhe te lajmi i bujshëm i rikthimit të katër fëmijëve dhe një gruaje shqiptare në atdhe nga kampi i ferrit “Al Hol” në Siri, duke thënë se ata janë të traumatizuar dhe kanë nevojë për psikoteraperë dhe jo për kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij, bëri propagandë me ikjen e tij në Liban.

“Më shumë se lajm i gëzueshëm, është lajm që duhet të na bëjë të mendojmë për shumë gjëra. Së pari, pse ikën ata, çfarë ka ndodhur në këtë Shqipëri apo Kosovë? Në Kosovë më ka bërë përshtypje se sapo u ndërtua shteti, ata ikën që të gjejnë një kuptim jete tjetër. Se si e gjejnë kuptimin është tjetër gjë pastaj. Fëmijët sigurisht i kanë marrë prindërit, janë fëmijë të traumatizuar, ata nuk kanë nevojë që kryeministri të shkojë atje, por duan psikoteraperë për t’i trajtuar dhe kthyer në normalë. Prezenca e kryeministrit atje është propagandë. S’di të bëjë që këta njerëz të mos ikin, t’iu japë shtëpi, por bën lojëra sikur shteti ynë po bën. Besoj se pak shumë ka bërë shteti ynë për t’i kthyer ata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb