Gazetari Dashnor Kaloçi ka publikuar sot në “Gazeta Shqiptare” një dossier mbi një korrespondencë “sekrete” në vitin 1989, ku Byroja Politike u ngrit në alarm pas një telefonate që erdhi nga SHBA-ja. Personi që telefonoi kishte një kërkesë të veçante, ndërsa pohonte se: “Do martohem me Eli Farën”.

NGA: Dashnor Kaloçi
Edhe pse kishte kaluar gjysma e dytë e vitit 1989 dhe në mjaft prej shteteve të Europës Lindore kishin filluar të ndiheshin “erërat” që vinin nga përtej Atlantikut, në Shqipërinë komuniste dukej se nuk po frynte e nuk po lëvizte asgjë dhe “ujerat” rrinin po në vend?! Madje dukej sikur gjërat po shkonin mbrapsht dhe situata po përkeqësohej gjithnjë e më shumë për shkak të gjendjes ekonomike tejet të vështirë që po kalonte vendi, gjë e cila lidhej direkt me politikën e izolimit që vazhdonte të aplikonte Tirana zyrtare me udhëheqjen e saj.

Si rezultat i kësaj, edhe në art e kulturë vazhdonte e njëjta gjë dhe diktati i regjimit komunist vazhdonte të ndihej po njëlloj te shkrimtarët e artistët, madje për vetë famën, emrin, autoritetin apo dhe disa privilegje që kishin e gëzonin ata te dhe ndaj shtresës tjetër të shoqërisë shqiptare, diktati dhe kontrolli partiak e shtetëror ndaj tyre ishte edhe më i fortë e më i rreptë. Jo vetëm kaq, por partia dhe shteti nëpërmjet “organeve kompetente” (Sigurimi i Shtetit), vazhdonte të futej dhe ndërhynte thellë deri në jetën private të njerëzve të artit e kulturës, njëlloj si në periudhën më të vështirë që kishin kaluara ata, atë të pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, e Plenumin e V-të të Komitetit Qendror të PPSH-së.

Kjo gjë, veç të tjerash, si dhe në dokumentet e ndryshme arkivore të publikuara në faqe të ndryshme të këtij libri, bëhet e ditur edhe nga këto që po publikojmë në këtë kapitull, ku udhëheqja më e lartë partiake e shtetërore e regjimit komunist të Tiranës, është alarmuar pas një telefonate që është bërë nga SHBA, lidhur me këngëtaren e njohur Eli Fara.

Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, ajo që vihet re nga përmbajtja e tyre, nuk është vetëm fakti që ka të bëjë me ndërhyrjen në jetën private të këngëtares së famshme, për të cilën janë vënë në alarm dhe lëvizje krerët më të lartë të udhëheqjes shqiptare të asaj kohe, (Lenka Çuko, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror, Simon Stefani, anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Komitetit Qendror dhe ministër i Punëve të Brendshme, Reiz Malile, anëtar i Komitetit Qendror dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Anastas Kondo, funksionar i lartë për Artin e Kulturën në Komitetin Qendror, Jorgo Melica, Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me jashtë, etj. etj.), as “statusi” i fortë i personit që interesohej të lidhte jetën me këngëtaren në fjalë, gjë e cila natyrisht lidhej dhe vinte për shkak të origjinës dhe gjendjes së tij shoqërore, si një shqiptar që jetonte e punonte jashtë, madje në SHBA, por ndikimi dhe autoriteti i madh që ai kishte tek udhëheqja e lartë shqiptare e asaj kohe?!

Kjo gjë shihet më së miri te raport-informacioni që ka bërë për udhëheqjen e lartë, Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Jashtë, Jorgo Melica, ku shqiptari i diasporës, Agim Z…, në bisedën telefonike, e ka trajtuar atë, (Jorgo Melicën), as më pak dhe as më shumë, por si një vartës të bindur të tij… Jo vetëm kaq, por aty duket se Melica nuk ka pasur guximin ta kundërshtojë atë për asnjë gjë nga ato që ai i ka kërkuar, madje të zbatojë urdhrat e tij për të takuar ata persona që ai (Agim Z…) i ka sugjeruar dhe në fund të bisedës telefonike me shumë mirësjellje, apo më saktë me shumë frikë, i ka uruar dhe punë të mbarë bashkëbiseduesit që fliste nga SHBA-ja?!
Lajmin e plote mund ta lexoni ne GSH.al:http://www.gsh.al/2017/11/09/ekskluzive-korrespondenca-teper-sekret-ne-89-telefonata-nga-shba-do-martohem-me-eli-faren-qe-alarmoi-byrone-politike-ne-89-en/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: