Nga: BUJAR NISHANI *

Ka mjaft sfida, të cilat kërkojnë që të përballet sipas prioritetit, me platforma dhe strategji të qarta dhe konkrete dhe njëkohësisht të adoptojmë një qasje të përbashkët përsa kohë këto sfida po bëhen një rrezik i njëjtë për të gjitha vendet, qoftë të BE-së, qoftë vende jo anëtare të BE-së. Jemi dëshmitar të rritjes së vazhdueshme të rritjes së terrorizmit i cili po tregon gjithnjë e më shumë që nuk njeh kufij dhe ka për shtyllë kryesore vetëm një ideologji të caktuar: dhunën, frikësimin, veprimtarinë kriminale, aktet barbare. Situatat që po zhvillohen pandërprerë në të ashtuquajturin ISIS, ISIL, të cilat po shfaqin të njëjtin kërcënim dhe akte dhune dhe barbare jo vetëm në Siri, jo vetëm në Irak. Ngjarjet e fundit në Paris treguan që terrorizmi dhe ekstremizmi nuk bëjnë dallime, nuk njohin kufij me arritjen e qëllimeve të tyre kriminale me vendosjen e sistemit të sigurisë botërore në goditje të vazhdueshme dhe vendosjen e sigurisë së qytetarëve të lirë në rrezik, nën kërcënim dhe në dhunë të përhershme. Përballja dhe qasja më e mirë e këtij fenomeni barbar në kohët moderne kërkon jo vetëm një përgjigje adekuate, por një përballje dhe angazhim të përbashkët. Sa më të bashkuar që të jenë aktorët e botës së lirë, sa më të koordinuar që të jetë aktorët e botës së demokracisë, sa më të koordinuar dhe motivuar të jenë shoqëritë e botës së lirë që kanë sjellë ndër shekuj kulturën, civilizimin, përparimin, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive aq më të shpejtë do ta kemi suksesin.
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që iu bashkua aleancës ndërkombëtare në luftën kundër ISIS duke ndihmuar me format dhe metodat që aleatët i kërkuan dhe që ishin të mundshme nga ana jonë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleate aktive në këtë aleancë, por jo vetëm kaq. Shqipëria është e prekur nga fenomeni i të ashtuquajturve ‘luftëtarë të huaj’ të cilët janë bashkuar grupeve dhe organizatave terroriste në Siri dhe Irak. Dëshiroj t’ju informoj dhe garantoj se ka pasur një reagim adekuat të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë duke hetuar, goditur dhe penalizuar më së pari burimet e rekrutimit të këtyre individëve duke identifikuar dhe analizuar arsyet që motivojnë dhe nxisin individë të bëhen pjesë në akte dhe veprimtari terroriste, duke nxjerrë konkluzionin që procesi i goditjes dhe ndalimi i këtij fenomeni është një proces dhe duhet të jetë një proces disadimensional ku duhet alternuar angazhimet e institucioneve shtetërore, dhe tërësi i shoqërisë për të nxitur dhe rritur nivelin e informacionit të arsimimit dhe kulturës në zonat rurale ku për shkak të pamundësisë apo kufizimit të ofrimit të nivelit më të lartë në këto zona është e lehtë dhe e mundshme për rekrutuesit e këtyre njerëzve. Së dyti, fakti që 90% e resurseve që rekrutohen vijnë nga individë të cilët janë vulnerabël në aspektin ekonomik dhe bien lehtësisht pre e premtimeve idioteske për pasurinë nëse marrin pjesë në luftë të tillë, e cila ka sjellë dhe zhgënjimin e tyre për shkak se janë ndeshur me një realitet krejt tjetër nga ai i premtuari. Kjo çështje duhet të bëhet pjesë jo vetëm e analizës, por edhe e vendimmarrjes për të vepruar në mënyrë të tillë që projekte dhe programe sociale në zona të tilla të ndikojnë jo vetëm për ta denoncuar pamundësinë e atij premtimi që i bëhet, por për t’i treguar grupeve shoqërore dhe individëve të tillë që shoqëria është njësh me ata dhe që ata janë pjesë normale e kësaj shoqërie, që instrumentet e shtetit kanë kujdes dhe ofrojnë projekte të rehabilitimit ekonomik, psikologjik dhe social të jetës së përditshme, dhe së treti një angazhim i lartë e profesional, i fortë, i ashpër ndaj atyre të cilët më pas përfshihen në këto veprimtari.
* Pjesë nga fjala e presidentit të Republikës, Bujar Nishani në Konferencën “Siguria në shekullin e 21-të: ne, brezi i ri kujdesemi” të organizuar në Universitetin “Luarasi” në bashkëpunim me Forumin Evropian Alpbach dhe IGAA, ku ishin të pranishëm edhe Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, Presidenti i Forumit Alpbach, Dr. Franz Fischler, Ambasadori i OSBE-së Raunig, Ambasadori i Austrisë, Schnoll, akademikë, drejtues dhe studentë nga Kosova, Maqedonia, Serbia, etj.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: