“Do më pëlqente që vajzat e mia të mos jetonin në Shqipëri”, thotë gazetari i njohur jo pa keqardhje kur pyetet për dy vajzat e tij, njëra tashmë e rritur. Blendi Fevziu ka qenë i ftuar në “Shiko kush luan” në Top Channel, ku foli për punën por edhe familjen e tij. Fevziu tregoi se intervista më e bukur politike në karrierën e tij ka qenë përballja e Fatos Nanos dhe Sali Berishës në vitin 2002. Sa i përket aktualitetit ai mendon se qeveria duhet të ndërrohet dhe në pushtet duhet të vijnë njerëz që mendojnë për vendin dhe prosperitetin.

Sigurisht që në shtëpinë e Blendit, gruaja ka gjithmonë të drejtë dhe ai është babi që u thotë vajzave gjithmonë “Po”. Të ardhmen e vajzave ai e sheh jashtë Shqipërisë sepse sipas tij ky është një vend shumë maskilist në raport me femrat.

Përsa i përket udhëtimeve që janë edhe pasioni i tij, Blendi tregoi se mund të niset në çdo orë dhe çdo moment në udhëtim.

Më thuaj tre ndryshimet që duhet të ndodhin tek kjo qeverisje sipas teje?
Do bënte shumë mirë të ikte qeveria. Ky do ishte ndryshimi më i mirë se do krijonte rrotacion. E dyta, ai që do vinte të kishte besimin absolut të shqiptarëve dhe e treta, ky vend duhet të ketë një lloj perspektive në momentin kur të dyja palët të mendojnë pak më shumë për vendin se sa për karrierat e tyre brenda partive politike.

A ka një person të njohur që do të doje ta ftoje?
Janë tre. E para është ish-mbretëresha Geraldinë. Kam qenë i magjepsur nga intervista me të. I dyti është Jusuf Vrioni, edhe ai nuk jeton më dhe i treti është Kadare.

Çfarë është familja për ty?
Familja është një bërthamë me të cilën ti ndërton pjesën më të madhe të jetës tënde. Në familje kur ka dy mendime të ndryshme, gjithmonë fiton ai i gruas.

A je ti babai që u thua po vajzave gjithmonë?
Po!

Të ardhmen e vajzave e sheh brenda Shqipërisë apo jashtë?
Gjyshja më thoshte gjatë komunizmit sa të hapet një shteg, ikni nga ky vend. Unë nuk ika. Besoj nuk jam penduar që nuk kam ikur. Por sot, do më pëlqente që vajzat e mia të mos jetonin në Shqipëri. Ky vend për fatin tonë të keq, ende është shumë maskilisk, nuk ka vlerësimin e duhur për femrat. Kjo është një nga fatkeqësitë e këtij vendi. Nëse shihni emancipimin, shihni raportin me femrat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb