“Unë ushqehem me djersë të ballit. Një tender që mora, mu nxi jeta. Ndihmova pronarin e truallit që privatizonte atë tokë”. Kështu deklaron biznesmeni Edomond Bego, i akuzuar nga Partia Demokratike se ky i fundit po favorizohet nga qeveria duke devijuar projektin e Unazës së Re, për ndërtuar një kompleks pallatesh.

Në një lidhje telefonike për emisionin ‘Të Paeskpozuarit’ në ‘News24’ Bego tha se emri i tij po lakohet padrejtësisht, ndërsa etiketohet nga PD si trafikant apo dhe anëtar i bandës së Lushnjës. Ai tha se nuk ishte pronar i atij truallit që lakohet nga PD, ndërsa shtoi se nuk ka dhënë asnjë shumë prej 750 mijë eurove.

Kujtojmë se PD akuzoi Begon se do të ndërtojë tek ish Serat një projekt me vlerë fillestare investimi 60 milionë euro.

DEBATI
Bego: Do i lutesha PD dhe kryetarit Basha që e kam komshi që të mos akuzojnë kot se po na shkatërroni jetën. Po na bëjnë që të ngrejmë valixhet. Do përballemi në gjykatë. Jam i gatshëm që të vijë në studio. Jam i gatshëm për çdo gjë.

Bardhi: Pagesat për privatizimin janë bërë nga zotëria që flet në telefon.

Bego: Nuk është e vërtetë

Bardhi: S’kam asgjë personale me të.

Bego: Po më shkatërroni jetën. Jeni njerëz apo jo, ca jeni?

Rakipi: Bego thotë se nuk është e vërtetë? Keni dokumente ju?

Bardhi: Po i kemi dokumente

Bego: Po nxirre dokumentin

Bardhi: Do ta nxjerrim të hënën. Do i nxjerrim dhe ato që i keni bërë shtetit shqiptar

Bego: Ca kam paguar?

Bardhi: Keni bërë pagesa shtetit shqiptar. Pagesa e dytë është bërë më 11 mars.

Bego: Janë të pavërteta.

Bardhi: Ka fakte…

Bego: Keni qenë ministër Drejtësie. Si mund të thoni kështu për një person. Që unë jam trafikant, apo anëtar i bandës së Lushnjës. Po si mund të abuzoni me mua kështu? Jeni njerëz apo jo?!

Rakipi: Këto pagesa si keni bërë?

Bego: Kam ndihmuar pronarin e truallit me kredi për të bërë privatizimin. Se ai s’ka pasur mundësi që ta privatizonte.

Bushati: Ju i keni dhënë lekët pronarit që ta privatizonte?

Bego: Po pronarit.

Bushati: Për ça ia dhatë këto lekë?

Bego: Unë jam biznesmen pavarësisht se për çfarë akuzohem, më vihen etiketa si trafikanti..

Bushati: S’po ju vë asnjë etiketë. Por s’kam gjetur asnjë njeri që të më ndihmojë duke më dhënë 750 mijë euro.

Bego: Unë ushqehem me djersë të ballit. Një tender që mora në OST, mu nxi jeta. Nëse marr pjesë në tender shtetëror, nuk flas më.

Bushati: Po aplikim për Bashkinë e Tiranës keni bërë?

Bego: Kjo s’më heq mua të drejtën që të bëjë punë private. Jo s’kam bërë aty. Unë firmë e kam blerë nga Ajet Rramçaj. Firma ime ka qenë Inertexpres.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb