Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, premtoi se pasi të vijë në pushtet do të ndjekë të gjitha paratë e aferave korruptive dhe do të vërë para drejtësisë përgjegjësit.

I pyetur nga gazetari i News24 dhe BalkanWeb, Osman Stafa, nëse do ta mbajë vërtet fjalën për këtë gjë, Basha u përgjigj prerë se “Një nga ndryshimet kryesore që duhet të ndodhë, që shqiptarët meritojnë, është dhënia fund e kësaj kulture pandëshkueshmëria. Nga kjo lidhet ngushtë aftësia qeverisëse për të dedikuar taksat e shqiptarëve për politikat. Gjithë politikat tona do të pamundësohen, nëse nuk arrijmë dot që 2.2 miliardë eurot e korrupsionit të zhbëhen dhe përgjegjësitë të vihen para ligjit.

Javët dhe muajt e parë të kësaj qeverie, me institucione të posaçme ekzekutive, me përvojën më të mirë të partnerëve tanë strategjikë, me të cilët kam qenë në kontakt prej majit të vitit të kaluar, ne do të bëjmë gjithçka, do të ndjekim paranë jashtë vendit, ku e kanë çuar.

Do të ndjekim paranë e çuar në banka ofshore, kudo që të jetë paraja do të ndiqet dhe ata që i kanë shkaktuar shqiptarëve kaq shumë dhimbje, do të japin llogari një më një. Nëse këto para sot do të shpenzohen për njerëzit, Shqipëria do të kishte mundësi të kishte një paketë të paktën si e Kosovës. Përgjegjësi e Ramës për këtë situatë është politike, por dhe penale. Ai ka vendosur që paratë të mos shkojnë te njerëzit, ndaj nuk e ndjek planin tonë. Të garantoj se këtu nuk bëhet fjalë për premtime elektorale apo fjalë, por për një çështje jetike, nëse do të ketë nesër një qeveri që përballet me krizën”.

Më tej, Basha vijoi se laku po shtrëngohet dhe se nuk la formulë në botë që ta fshehë se kryeministri Edi Rama po izolon Shqipërinë.

“Ka bërë dhe është gati të bëjë gjithçka për pushtetin e tij, por rrethi po ngushtohet dhe laku po shtrëngohet dhe nuk ka formulë në botë që ta fshehë se Edi Rama po izolon përsëri Shqipërinë, si para 30 vitesh, për shkak të tmerrit që ka nga zgjedhjet. Nuk ka për t’ia dalë. Ai do të marrë një përgjigje ekzemplare nga shqiptarët, sepse i ka bërë llogaritë pa shqiptarët. Sot jemi pranë shqiptarëve për t’i dhënë zë vuajtjeve të tyre. Plani ynë përbën bazën e një përqasjeje të re pas 25 prillit. Deri më 25 prill ka vetëm një rrugë, denoncimi i problematikës”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb