Irani dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për të filluar prodhimin e dronëve sulmues në Rusi.

Lajmi është i ditur nga shërbimet e inteligjencës të një shteti që monitoron nga afër programin e armëve të Iranit.

“Irani ka filluar të transferojë projekte dhe komponentë për dronët në Rusi pasi marrëveshja fillestare u arrit në fillim të këtij muaji. Qëllimi është që Rusia të prodhojë mijëra dronë të rinj sulmues duke përdorur komponentë dhe projekte iraniane. Nëse të dy vendet ecin përpara me planin e tyre, pritshmëria është që prodhimi mund të fillojë pas disa muajsh dhe është e mundur që dronët të mund të përdoren nga Rusia në fushën e betejës në Ukrainë vitin e ardhshëm”, tha një burim sipas CNN.

Kjo do të ishte një lëvizje që do të çimentonte më tej partneritetin midis Teheranit dhe Moskës dhe ka të ngjarë të provokonte zemërim të konsiderueshëm nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë, përfshirë SHBA-në.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia ka marrë qindra dronë nga Teherani, të cilët kanë pasur një efekt vdekjeprurës në Ukrainë.

Në fillim të këtij muaji, qeveria iraniane pranoi për herë të parë se kishte dërguar një numër të kufizuar dronësh në Rusi, megjithatë specifikoi se kjo ka ndodhur muaj para se agresioni rus të niste në Ukrainë.

“Disa vende perëndimore e kanë akuzuar Iranin se ndihmon luftën në Ukrainë duke ofruar dronë. Ne i kemi ofruar Rusisë një numër të kufizuar dronësh në muajt para fillimit të luftës në Ukrainë”, u tha gazetarëve në Teheran ministri i jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: