KORÇË- Policia e Korçës ka nisur procedimin penal ndaj shefes së Burimeve Njerëzore pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Kolonjë, pasi dyshohet se ka kërcënuar me largim nga puna dhe ka dhunuar një 55-vjeçare, me detyrë shefe finance në këtë institucion.

Gazetarja Ledjona Xheladinaj tha për “BalkanWeb” se shefja e financës Kristina Stoja (foto kryesore) ka bërë denoncim në polici duke deklaruar se është dhunuar barbarisht në ambientet e poliklinikës nga shefja e personelit Dorina Tallo, 30 vjeç.

Dorina Tallo

Sipas saj, autorja e ka kërcënuar 55-vjeçaren me largim nga puna nëse ajo nuk votonte PS ndërsa e ka dhunuar fizikisht duke i shkaktuar shenja në fytyre dhe i ka thyer syzet optike. Mësohet se 55-vjeçarja është simpatizante e LSI-së.

Policia ka nisur hetimet për rastin në fjalë duke proceduar penalisht në gjendje të lirë, 30-vjeçaren Tallo.

NJOFTIMI I POLICISË
Kolonjë, procedohet penalisht në gjendje të lirë shefja e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, për veprën penale: “Dëmtime të tjera me dashje”.
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kolonjë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases:
D.T, 30 vjeçe, banuese në Ersekë (me detyrë shefe e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik Ersekë).
Procedimi ndaj saj filloi pas kallëzimit të bërë më datë 21.06.2017, nga shtetasja K.S, 55 vjeçe, banuese në Ersekë, me detyrë shefe Finance pranë kësaj Drejtorie, e cila ka deklaruar se shtetasja D.T, në ambientet e Poliklinikës të qytetit të Ersekës, për motive të dobëta, e ka fyer dhe goditur në fytyrë këtë të fundit. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: