Universitatea Craiova do të masë forcat me Vllazninë në  turin e dytë të Conference League. Trajneri i ekipit rumun, Laszlo Balint ka komentuar shortin, duke i cilësuar shkodranët si një rival i kalueshëm. Gjithashtu, Balint risjell në kujtesë edhe eliminimin e Craiovas nga Laçi në sezonin e kaluar.

“Na duhen përforcime, këtë e diskutuam me presidentin dhe kemi pasur disa kontakte. Ne gjithashtu kemi edhe pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, ku ne shpresojmë të kemi një udhëtim sa më të gjatë që të jetë e mundur. Është normale, çdo lojtar i vlefshëm është i mirëpritur.

Në pamje të parë, Vllaznia duket një skuadër e kalueshme, por të mos harrojmë veçantinë e futbollit shqiptar, një futboll i fokusuar shumë mbi shpirtin e vendosmërisë, një futboll agresiv. Duhet të jemi të përgatitur në çdo mënyrë.

 

Prioriteti për ne në këtë moment është të bëjmë përgatitjet më të mira të mundshme dhe pastaj do të kemi debutimin në kampionat. Unë nuk dua të përqendrohem te ajo që ishte. Eksperienca me Laçin ishte e pakëndshme për të gjithë futbollin rumun. Por ne duam të bëjmë më mirë dhe arrijmë objektivat tonë.Shorti në Ligën e Konferencës për skuadrat rumune duket i kalueshëm. Por futbolli është i paparashikueshëm dhe duhet të marrim me seriozitet çdo detaj. Duam të ecim sa më shumë të jetë e mundur në Ligën e Konferencës ndërsa në kampionat gjërat janë të qarta. Ne duam të luftojmë për trofe” – tha ai.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb