TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për akuzat e opozitës për çështjen McGonigal dhe mosparaqitjen e tij në parlament për mocionin me debat.

Rama tha në “Opinion” se do shkojë në parlament kur ta shohë ai të arsyeshme dhe se ka ndryshuar angazhimin e tij.

“Unë e kam thënë më parë se të fillonte kjo zallamahi që do të jem shumë më i përqendruar te punët e përditshme dhe shumë më pak i angazhuar në politikën e llafeve të përditshme. Në ndërkohë dua të them që jam angazhuar me zell të madh dhe zjarr të madh për vite të tëra dhe në atë parlament, por besoj që padashjen time jam bërë dhe unë pjesë e diçkaje që është një hall i madh dhe një shqetësim i madh për gjithë publikun dhe ndihem dhe bashkëfajtor për këtë gjë. Bashkëfajtor në gjithë atë skenë që është larg së qeni e denjë për ata që na japin besimin. Për këtë unë nuk kam më disponim që të hyj dhe të dal në politikën e përditshme si në fushatë elektorale.
Angazhimi im do jetë krejt i ndryshëm për të shlyer sado pak atë njollë bashkëfajësie për gjithë atë degradim.
Unë nuk vendos se si duhet të sillet opozita, por vendos si duhet të sillem vetë.
Kur fola për ça fola nuk kisha parasysh fryrjen e bilbilave, në një moment të caktuar në parlament mund të frysh dhe bilbilin. Kisha parasysh një vijë të gjatë sjelljeje që është në nivelin më të ulët të edukatës të çdo familje në Shqipëri.
Unë do shkoj në parlament kur e shoh unë të arsyeshme. Unë flas me faktin e thjeshtë që më vjen turp dhe më vjen realisht turp që nuk kam mundur të ndikoj në ndryshimin e kësaj situate në parlament”, deklaroi Rama.

Sa i përket përjashtimit të deputetëve të PD, Rama tha se e kthyen parlamentin në mejhane.

“Unë nuk përjashtoj deputetë se nuk jam kryetar Kuvendi e as anëtar i komisionin përkatës. Mazhoranca nuk është një trupë që bashkohet për të përjashtuar njerëz, por nuk ka shqiptar që nuk bashkohet me vendimin e përjashtimit të atyre që e kthyen Parlamentin në mejhane dhe ushtrojnë forcë duke penguar punën e Parlamentit dhe të tjerët të flasin.

Parlamenti është vendi ku ka të drejtë fjale gjithsecili dhe ku askush nuk të drejtë të pengojë tjetrin të flasë. Nuk mund të pajtohesh me faktin që ndërsa angazhojnë parlamentin për të shkarkuar Nikollën, nuk marrin pjesë fare në votim, sepse për ta Parlamenti është pjesë e një lufte të tyre të brendshme për të prevaluar mbi tjetrin”, tha Rama.

Ai theksoi më tej se nuk ka refuzuar të shkoj në mocion me debat, por se do të shkojë jo për opozitat.

“Jam kryeministri që ka qenë më shumë në Parlament. Jam angazhuar në debat duke u përfshirë pa dashje edhe në shkëmbime për të cilat nuk jam fare krenar. Nuk kam refuzuar të shkoj në mocion me debat, do të shkoj jo për opozitat por sepse e shoh të arsyeshme për të komunikuar me zgjedhësit. Nuk më detyron askush me forcë dhe nuk jam sot ai që kam qenë vite më parë”, u shpreh ai.

Nuk munguan dhe etiketimet fyese për parlamentin.

“Situatë zoologjike, e them me keqardhje dhe një ndjenjë bashkëfajësie”, deklaroi ai.

Lidhur me regjistrimin e PD në zgjedhje, Rama tha se nuk është çështje e tij dhe se ka marrë përsipër ta ndajë qeverinë nga gjykatësit mirë apo keq, për mirë apo keq.

“Janë arratisur nga detyra opozitare prej shumë vitesh. Ju keni mendimin si ata që jam unë që firmos dhe vulos cili shkon në zgjedhje.
Kjo është një çështje që në dijeninë time është në gjykatë. Nuk është tema ime. Ne nuk kemi lidhje se kush shkon në zgjedhje. Zgjedhjet janë një ofertë. Populli përmes kushtetutës hap garën dhe pret ofertat. ne shkojmë atje me ofertën tonë.
Nëse dikush thotë nuk kam ofertë se nuk kam vulë, apo se nuk kam firmë është punë e tyre. As formalisht as përmbajtësisht kjo nuk është një bisedë për mua.
Këto raste të korrupsionit nuk kanë dalë nga hiçi, as se për herë të parë në Shqipëri ka probleme me korrupsionin. Kanë dalë sepse kjo qeveri dhe unë në krye të saj kemi lënë drejtësinë të bëjë punën e saj. Nëse unë firmos dhe vulos mbase dhe nuk do dilnin këto raste korrupsioni.
Kush janë këta gjykatës që përcaktojnë që në 21 janar pati vrasje pa autor, apo që në 21 janar njerëzit u vranë padashje, apo që në Gërdec nuk kishte fajësira si ato që janë apo janë një gabim teknik. Unë nuk i them fare gjykatësit të opozitës ta shqyrtojë sa më shpejt.

Në këtë aspekt, mirë apo keq, unë kam marrë përsipër ta ndaj qeverinë nga gjykatësit mirë apo keq, për mirë apo keq. Ka një mijë mënyra për t’u regjistruar në zgjedhje, por kjo nuk është çështja ime”, u shpreh Rama
.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: