PRISHTINE- Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga PDK, Blerta Deliu Kodra, ka deklaruar se ata nuk pranojnë ultimatume për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ajo ka thënë se zgjedhjet nuk janë prioritet dhe për këtë nuk ka asnjë diskutim në PDK.

Kodra deklaroi se edhe LDK-ja që po flet shumë për zgjedhjet e reja, nuk ka vota.

“LDK sigurisht nuk i ka votat pavarësisht se thotë se mund ta çojë vendin në zgjedhje. Po t’i kishin votat ata nuk do të ftonin tryezë për të diskutuar edhe për këtë temë”, ka deklaruar Deliu Kodra.

Ajo ripërseriti se PDK-ja është ajo që mund ta çojë vendin në zgjedhje, por sipas saj kjo nuk është në agjendë.

Deputetja Deliu Kodra, nuk u shfaq shumë optimiste për konsensus nacional, por e vlerësoi tryezën e sotme dhe shfaqi shpresën që në tryezën e ardhshme që do të organizohet nga PDK, të ketë të paktën përafrim për tema të caktuara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb