TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka mohuar debatet mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në emisionin “Open”, Meta tha se do shqetësohet po të mos kishte pasur debate por se interesi në thelb është i përbashkët.

“Do të shqetësohesha po të mos kishte pasur debate, në kuptimin që pikëpamjet e ndryshme për çështje të caktuara por kur interesi është në thelb i përbashkët na shërbejnë për të përmirësuar të gjithë mekanizmin reagues, menaxhues në javët që vijnë se kjo nuk është një betejë që do përfundojë shumë shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme. Është një sfidë e cila kërkon kohën e saj, e cila për fat të mirë për arsye se të gjithë i kanë shërbyer menaxhimit të krizës, pra nuk kemi asnjë faktor apo aktor është kundër kufizimeve. Nëse ka një debat është për mënyrën se si ato realizohen, se si ato vihen, si të jenë efikase, se si kufizimet të plotësohen me një shërbim sa më të mirë”, deklaroi Kreu i Shtetit.

Ai tha më tej se opozita ka insistuar në rritjen e testimeve por se edhe qeveria nuk është kundër.
“Nuk do të dëshiroja të bëhesha zëdhënës i debateve të kësaj mbledhjeje. Nuk është ndonjë sekret që opozita ka insistuar në rritjen e testimeve siç e vërteta është që testimet kanë ardhur duke u rritur gradualisht. Synojnë për të na ndihmuar të gjithëve për të pasur efikasitet për gjurmueshmërinë e këtij virusi. Nuk besoj se këtu qeveria është kundër, pavarësisht mendimit teknik të ekspertëve por besoj se edhe qeveria është në të njëjtën pikëpamje se për rihapjen është e nevojshme të rritet numri i testimeve që të mbahet situata nën kontroll”, u shpreh Presidenti.

Sa i përket një date për nisjen e lehtësimeve, Meta tha se “ende nuk mund të themi se ka një qartësim përfundimtar por kemi rënë dakord që të ketë një strategji të shpejtë për këtë çështje”. “Unë besoj se së shpejti do ketë një qartësi më të madhe. Një çështje që kemi diskutuar, ka qenë ajo e vitit shkollor dhe jemi dakorduar që duhet bërë çdo zgjidhje që të përfundojë ky vit shkollor dhe besoj se do i jepet prioriteti i duhur.
Unë nuk mund të them asgjë. Padyshim që optimistë duhet të jemi por mbi të gjitha duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos humbasim përqendrimin për respektimin e kufizimeve. Mund të kalojmë në shkujdesje për shkak dhe të padurimit”, u shpreh Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb